
IRLANDË- Një shtetas shqiptar u kap në flagrancë me kanabis me vlerë 13 mijë euro në banesën e tij në Sligo, Irlandë. Ergis Metaj është dënuar me burg në Irlandë. Mediat e huaja raportojnë se ai ishte pjesë e një bande shqiptare e cila kishte paketuar drogën dhe e kishin nisur me postë, por në momentin që 23 vjeçari e mori, u kap në flagrancë.
Metaj fillimisht pretendoi se ishte i pafajshëm duke thënë se kishte marrë dorëzimin e një televizori dhe nuk ishte në djeni të drogës. Më tej ai rrëfeu se i ishin ofruar 200 euro për të marrë kutinë dhe se kishte marrë kërcënime për ta bërë këtë nga shtetasit e tjerë.
Garda pranoi se ai ishte nën kërcënim dhe se i pandehuri nuk ishte pronari i paketës. Metaj ishte në paraburgim që nga momenti i arrestimit. Metaj tha se i kishte borxh këtij burri 15,000 euro për ta çuar atë dhe gruan e tij në Irlandë. Ky borxh duhej shlyer duke marrë pakon.
I pyetur nga gjyqtari se cili ishte baza e tij për të kërkuar azil në Irlandë, Metaj u përgjigj se kishte një problem me njerëzit në Shqipëri lidhur me fenë e familjes së gruas së tij.
"Nën çfarë lloj kërcënimi jeni?" - Gjykatësi Johnson.
“Ka të bëjë me seksualitetin tim. Unë jam biseksual” – Metaj.
Metaj kishte mbërritur një vit më parë në Irlandë me bashkëshorten e tij, ku kanë kërkuar azil, duke përdorur një pasaportë greke të falsifikuar. Aktualisht e shoqja ndodhet në strehimin e refugjatëve në Sligo, së bashku me fëmijën e tyre 8 muajsh./ZËRI