TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka pritur këtë të dielë në Kryeministri familjarët e Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës, viktimave të 21 janarit të vitit 2011, që mbetën të vrarë para godinës së qeverisë gjatë protestës. Gjatë fjalës së tij Rama, nuk kurseu akuzat ndaj Prokurorisë së Tiranës, për të cilën tha se është pa shtyllë kurrizore.
Edi Rama: Sipas dëshirës së kërkuesve të drejtësisë për 21 janarin, në këtë rreth të pandashëm kujtese e në shoqërinë shqiptare, apo dëshirës së mbytësve të drejtësisë për 21 janarin në politikën shqiptare e prokurorinë e Tiranës. Shenja tjetër e zgjimit të drejtësisë është veprimtaria e SPAK e GJKKO-së që së fundmi ka hyrë në një fazë të re kuptimplotë duke thyer në fund akullin e shtresëzuaqr prej 100 e kusur vitesh mes shtetit shqiptar e drejtësisë.Mes të dyjave qëndron sot një datë e shpallur nga Gjykata e Lartë, 27 shkurt 2024, pak më shumë se njëmuaj prej sot do të marrim vesh nëse dosja e gjakut të 21 janarit do ti kalojë për shqyrtim SPAK për të hapur për së mbari hetimin e krimit shtetëror në bazë të vendimit të gjykatës së Strasburgut apo do të vijojë të jetë e mbyllur zoti e di sa kohë akoma në barkun e madh të prokurorisë pa shtyllë kurrizore të Tiranës.
I ndalur tek seanca e radhës që pritet të mbahet më 27 shkurt në Gjykatën e Lartë, Rama tha se “Prandaj 21 janari është sa nevojë për drejtësi të drejtëpërdrejtë për krim shtetëror aq dhe motiv e pasqyrë për të kuptuar më së miri cila është detyra jonë si udhëheqës e garant politik të reformës në drejtësi”.
Edi Rama: A mos vallë ishte kaq e vështirë ta bënte vetë sistemi? Pikëpyetja është a duhet të përgatitemi edhe për më të keqen, që përsëri sistemi të mos veprojë edhe në bazë të detyrimit që lind nga Gjykata Europiane. Prandaj 21 janari është sa nevojë për drejtësi të drejtëpërdrejtë për krim shtetëror aq dhe motiv e pasqyrë për të kuptuar më së miri cila është detyra jonë si udhëheqës e garant politik të reformës në drejtësi.
Çfarë ndodhi më 21 janar?
Një protestë e thirrur nga Partia Socialiste, asokohe në opozitë doli jashtë kontrollit dhe do të përfundonte me vrasjen e Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës para Kryeministrisë, pas të shtënave me armë zjarri ng Garda e Republikës. Partia Demokratike, në qeveri do e cilësonte tubimin si grusht shtetit dhe krim shtetëror. Nga 2011 deri më sot, dosja e 21 janarit është ende në gjykatë. Në lidhje me ngjarjen u morën të pandehur Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, ndërsa gjykata vlerësoi me vendim se vrasjet kanë ndodhur nga pakujdesia. Të dy të pandehurit u dënuan, Ndrea Prendi me 1 vit ndërsa gardisti Agim Llupo me 3 vite burg. Familjarët e viktimave prej 13 vitesh kërkojnë drejtësi ndërsa akuzat politike rishfqen para çdo fushate elektorale./ZËRI
