FIER- Një 37-vjeçar është arrestuar në Roskovec, pasi dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri para banesës së ish-bashkëjetueses së tij 22- vjeçarje, Aleksandra Elmaza në fshatin Luar. Sipas njoftimit të Policisë, Besmir Mustaj kishte qëlluar për motive të dobëta, ndërsa do të hetohet për armëmbajtje pa leje, dhunë në familje dhe veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Stacionit të Policisë Roskovec, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, pas marrjes së njoftimit për të shtëna me armë zjarri në fshatin Luar, organizuan punën për zbardhjen e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta, u identifikua dhe u arrestua shtetasi B. M., 37 vjeç, banues në Roskovec.
Nga veprimet hetimore rezultoi se, në fshatin Luar, Roskovec, shtetasi B. M. kishte qëlluar me armë zjarri, për motive të dobëta, para banesës ku jetonte ish-bashkëjetuesja e tij.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Dhuna në familje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.
Ndërkohë, 22-vjeçarja Aleksandra Elmazaj ka rrëfyer momentet e panikut gjatë natës, e cila në momentin e ngjarjes, ndodhej në banesë me motrën dhe vajzën e saj të mitur, ndërsa mëngjesin e sotëm ka gjetur 4 gëzhoja pranë banesës.
I dyshuari kryesor sipas saj, është ish-bashkëshorti me të cilin është ndarë me gjyq, teksa pretendon se prej kohësh po përballet me kërcënime dhe ka kërkuar urdhër mbrojtje.
“Jetoj në fshatin Luar, ishim në gjumë, dëgjojmë të shtëna arme. Nuk dolëm jashtë për momentin, në mëngjes kur u zgjuam gjetëm 4 gëzhoja, Njoftuam policinë, ata erdhën dhe na morën deklaratën. Isha unë motra dhe vajza ime. Nuk pashë a ishte ish bashkëshorti që qëlloi por dyshoja tek ai. Ishim bashkë prej 5 vitesh më pas u ndamë me gjyq e me të gjitha. Kemi një vajzë që është nën kujdestarinë time. Nga momenti që jam ndarë më ka kërcënuar vazhdimisht, me telefon, vinte edhe para portës, por me amë nuk ka ardhur kurrë. Para 2 -3 muajsh kam bërë edhe një denoncim, jam me urdhër mbrojtje.
Unë tani jam në një lidhje me një person tjetër. Ish-bashkëshorti ka shkuar edhe në banesën e tij dhe i ka thënë hiq dorë sepse ajo është gruaja ime. Kërkoj nga shteti të marrë masa, kam frikë”, tha ajo./ZËRI