
TIRANË-Artan Hoxha ka folur për zhdukjen e Ervis Martinajt, të cilën ai e konsideron vrasje dhe thotë se disa organizata të krimit u bënë bashkë për të eliminuar "mbretin" e lojërave të fatit. I ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit", Hoxha tha se për kokën e Martinajt janë paguar 5 milionë euro.
Ai tha se Policia është duke e kërkuar kufomën e tij në tokë, konkretisht në vendin e njohur si “trekëndëshi i Bermudës” në Shqipëri. Më tej, Hoxha tha se Policia e Shtetit e di që Martinaj është ekzekutuar pasi ekziston një foto e tij i vrarë, por autoritetet nuk mund të dalin me një deklaratë zyrtare pa patur kufomën.
"Në fakt para një viti e gjysmë, kur ka ndodhur ngjarja kam dhënë një version, në kohën kur nuk e besonte askush, që Martinaj është rrëmbyer dhe është vrarë. Nuk janë dhënë tre, por janë dhënë pesë milionë euro. Ai është kërkuar në det për muaj të tërë, sepse u mendua se mund të jetë hedhur nga zona e Durrësit në Qerret. Ndërkohë, muajt e fundit po kërkohet në tokë. Ka një perimetër që duhet trekëndëshi i Bermudës në Shqipëri. Ka informacion, ka një foto, ai person duket ku e ka plumbin. Nuk ka patur shumë kohë. Di që policia di edhe emrin se kush e ka bërë. Ai person është larguar nga territori i Shqipërisë, por pagesa ka qenë e disa grupeve.
Në atë kohë u krijua një aleancë, sepse Martinaj nuk ishte njeri i zakonshëm, por bëri revolucion në botën e krimit të organizuar, duke miksuar, biznesin, krimin dhe politikën. E mori bazën kur ishte e djathta dhe u fuqizua më shumë kur ishte e majta edhe pse kundërshtar. Ai u bë problem për qeverinë, por edhe për Rithemelimin. Nëse do të gjendet kufoma, do të kemi deklarim zyrtar. Shifra pesë milion euro ka qenë e deklaruar, por nuk gjendeshin ekzekutorët. Martinaj kishte komunikuar me Dumanin dhe i kishte thënë nëse ti godet Indrit Doklen, ke 500 mijë euro. Imagjino, 5 milionë ka dhënë SHBA për të kapur Escobarin, që vajti 30 miliardë dollarë", tha Hoxha.
Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit të vitit 2022. Ai ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Edhe pse ka kaluar më shumë se një vit dhe afati 100 ditor i vendosur nga kryeministri Edi Rama për kryepolicin Muhamet Rrumbullaku, për zbardhjen e kësaj çështjeje, është tejkaluar, version zyrtar nuk po vjen. Fati i Ervis Martinajt është ende mister zyrtarisht, por janë dhënë sinjale që ai është ekzekutuar dhe zhdukur. /ZËRI