TIRANË-Vitin e kaluar Iute në Shqipëri pagoi 1.1 miliardë lekë ose 11.4 milionë euro shpenzime për mëmën e saj në Estori. Të dhënat nga bilanci zyrtar i kompanisë tregojnë se 605.5 milionë lekë u paguan për shërbime menaxhimi nga mëma, 219 milionë lekë ishin shërbime garancie, ndërsa pjesa tjetër prej 274.3 milionë lekësh janë interesa që Iute në Shqipëri i paguan pronarit estonez si interesa borxhi.
Në një sistem ideal taksimi, ku kapitali taksohet njësoj pavarësisht kufijve, transaksionet e një kompanie me palët e lidhura nuk do të përbënin asnjë shqetësim. Por në botën reale, ka një problem. Shkalla e taksave ndryshon nga njëri vend në tjetri. Në Shqipëri, tatim fitimi është 15 për qind. Por në Estoni ky tatim është zero.
Ky hendek, që ndryshe njihet si arbitrazhi tatimor, i mundëson një kompanie që t'i lëvizë përmes transaksioneve me palët e lidhura, fitimet e saj nga vendet ku ato taksohen tek vendet ku taksa është zero. Kjo është ajo që duket se po bën Iute në Shqipëri.
Të dhënat historike tregojnë se në pesë vitet e fundit shpenzimet që Iute Albania bën për mëmën e saj në Estoni gati janë trefishuar nga 3.96 milionë euro në vitin 2020, në 11.4 milionë euro vitin e kaluar. Ligjërisht një kompani është e lirshme të kontraktojë shërbime nga kushdo, përfshirë mëma apo kompanitë e grupit të saj.

Por pyetja që shtrohet është a janë këto shpenzime për shërbime reale, të bazuara mbi kosto tregu, apo fryhen artificialisht për të ulur fitimin në Shqipëri, ku taksohet me 15 për qind dhe për ta transferuar atë në Estoni, ku taksohet me zero. Për më tepër, të dhënat nga bilanci tregojnë se ky zë është rritur me ritme të jashtëzakonshme në 5 vitet e fundit nga 184 milionë lekë në vitin 2020, në 605 milionë lekë vitin e kaluar.

Kur mbledh vetëm shërbimet e menaxhimit dhe garancisë, i bie që 824 milionë Lekë (afro 8.5 milionë euro) janë transferuar direkt në Estoni si shpenzime operative.
Kjo vlerë është dy herë më e madhe se i gjithë fitimi neto që kompania la në Shqipëri (421 milionë Lekë). Përmes kësaj metode, kompania pakëson fitimin në Shqipëri dhe taksat që duhet të paguajë, edhe pse këto janë të ardhura të fituara në Shqipëri.
Ligjërisht Autoritetet Tatimore kanë të drejtë t'i qëmtojnë me hollësi transaksionet e kompanive me palët e lidhura për efekt të shmangies së taksave. Por trendi i parave që Iute çon tek mëma e saj, duket, në rastin më të mirë, i dyshimtë. Një flamur i kuq, që do të duhet të alarmonte Tatimet./Kapital