Aktualitet

Afera CEZ-DIA, gazetari Fatos Mahmutaj merret në pyetje nga SPAK

Mahmutaj ka zhvilluar një intervistë me bashkëshorten e Kastriot Ismailaj dhe ka zbardhur detaje të reja nga afera CEZ-DIA.

D.XH
Afera CEZ-DIA, gazetari Fatos Mahmutaj merret në pyetje nga SPAK
Fatos Mahmutaj

TIRANË – Gazetari Fatos Mahmutaj ka dëshmuar gjatë ditës së sotme në SPAK, në lidhje me aferën CEZ-DIA, që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 414 milionë euro. Për këtë dosje janë akuzuar kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta, ish-kryeministri Sali Berisha, si dhe djali i tij, Shkëlzen Berisha.

Mësohet se Mahmutaj është marrë në pyetje për një intervistë që ka bërë me bashkëshorten e Kastriot Ismailajt, pronar i kompanisë DIA, i vetmi person që është dënuar për aferën. Mahmutaj ka rrëfyer në Report Tv detaje për intervistën që ka bërë me Vojsava Ismailajn. Mahmutaj tha se bashkëshortja e Ismailaj e ka akuzuar Metën se i ka bërë presion bashkëshortit të saj dhe madje i ka marrë edhe para.

Dyshimet ndaj Metës për këtë aferë nisën në vitin 2009, kur OSHEE shiti 75 përqind të aksioneve tek CEZ-DIA, në kohën që kryeministër i vendit ishte Sali Berisha. Kontrata u ndërpre në vitin 2013, kur PS erdhi në pushtet. Prishja e marrëveshjes i shkaktoi buxhetit të shtetit një dëm prej 414 milionë eurosh. Në lidhje me këtë aferë u dënua Kastriot Ismailaj për akuzat “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim parash”, pasi ka përvetësuar 5 milionë euro me fatura fiktive, pa mbledhur borxhe nga pagesat e prapambetura.

Dosja e “nxehtë” CEZ-DIA tashmë është rikthyer në SPAK. Afera CEZ-DIA, për mbledhjen e rreme të borxheve me faturat e papaguara nga abonentët nisi të zbatohej pas finalizimit të aferës të shitjes tek OSHEE tek CEZ nga qeveria e Berishës. Nuel Kalaj ishte sekseri mes CEZ dhe qeverisë së Berishës për privatizimin e 75 përqind të aksioneve të OSHEE nga çekët. Në negociata dyshohet se është përfshirë edhe djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha./ZËRI/

Poll

MOS HUMB