Aktualitet

Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes kërkon akses në TIMS, opozita kundër

Por, për kreu e AISM Ardian Bali, kjo është e domosdoshme pasi nëse informacioni nuk shkon në kohën e duhur bëhet i pavlefshëm.

E.K
Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes kërkon akses në TIMS,
Ardian Bali

TIRANË- Janë zhvilluar me debate dhe tensione mes palëve politike diskutimet e kësaj të hëne në Komisionin e Ligjeve dhe të Ekonomisë ku u diskutuan ndryshimet në ligjin për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, të propozuara nga Qeveria. Një nga ndryshimet e propozuara përfshin dhe dhënien e aksesit në sistemin TIMS të Agjencisë, por kjo nuk shihet me sy të mirë nga opozita. Për deputetin Asllan Dogjani është e tepruar. Por, për kreu e AISM Ardian Bali, kjo është e domosdoshme pasi nëse informacioni nuk shkon në kohën e duhur bëhet i pavlefshëm.

Asllan Dogjani: Kërkoni akses në TIMS dhe te sistemi i targave. Praktika ka treguar se ka të përfshirë te Metamorfoza shefa policie dhe po ashtu ka pasur rrjedhje nga ky sistem, arsye që është ngritur dhe komisioni i posaçëm. Pse ju doni akses, çfarë emergjence keni, kur mund t’i merrni nga Policia dhe Drejtoria e Transporteve?

Ardian Bali: Informacioni është fuqi. Një informacion që nuk vjen në kohën e duhur nuk ka më çfarë të duhet. Nëse nuk merret vesh në kohë reale se shtetasi X ka kaluar në pikën kufitare, ai informacion e ka kaluar vlerën pastaj. Vetë cikli për të marrë informacion të policia do kohën e saj dhe e humbet vlerën. Sa më shumë informacion të kemi, aq më të aftë jemi për të dhënë një produkt inteligjence.

Po ashtu pjesë e diskutimeve u bë dhe një tjetër ndryshim, që përfshinte emërimin e zëvendësdrejtorit të Agjencisë, këtë herë civil. Kjo sipas Balit, bëhet për të pasur mundësi zhvillimi në karrierë, ashtu siç ushtarakët, të cilët falë gradave që kanë mund të lëvizin në pozicione të ndryshme.

Ardian Bali: Nëse ushtarakët, për shkak të gradave që kanë, në vijim mund të lëvizin nga një strukturë në tjetrën në ushtri, e njëjta gjë nuk mund të ndodhë me stafin civil të Agjencisë. Për këtë arsye, për shkak të ngritjes në karrierë, është propozuar që posti i zëvendësdrejtorit të jetë i pastër si civil dhe pjesa civile e shohin veten nga momenti i rekrutimit deri në arritjet e majave të karrierës siç është posti i zëvendësdrejtorit./ZËRI

Poll

MOS HUMB