Aktualitet

Aksioni në Sukth/ SPAK jep detaje, sinjali për planin e vrasjes së Xhevdet Plakut erdhi nga Holanda

Sipas SPAK, shtetasit Dedan Gjoni, Rexhep Rapi, Algert Rapi dhe Dejvi Gjermeni akuzohen se kanë siguruar kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasje.

k.m.
Aksioni në Sukth/ SPAK jep detaje, sinjali për planin e vrasjes
Xhevdet Plaku dhe Dedan Gjoni

TIRANË- SPAK me anë të një njoftimi për mediat shprehet se plani për të vrarë të konsideruarin ‘kapo’ të klanit të drogës Xhevdet Plaku, apo siç njihet ndryshe ‘Akili’ ishte planifikuar që të bëhej më datë 17 shtator 2019 në Durrës. SPAK lajmëron se shtetasit Dedan Gjoni, Rexhep Rapi, Dejvi Gjermeni dhe Algert Rapi akuzohen se kanë siguruar kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasjen.

Më datë 16 dhjetor, SPAK ka kërkuar nga gjykata caktimin e masës së sigurimit personal “arrest me burg” për Gjonin, Rapin dhe Gjermenin, që në atë kohë ishin punonjës të policië në Durrës. Më datë 20 dhjetor, GJKKO  ka caktuar masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për ta për akuzën “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Xhevdet Plaku kryer në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 80, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Më 22 dhjetor, Policia e Shtetit ka ekzekutuar masat e sigurimit personal “arrest me burg” për personat e hetuar, Rexhep Rapi, Algert Rapid he Dejvi Gjermeni. Dejvi Gjermeni u arrestua më 22 dhjetor 2023 në Limburg të Holandës, si rezultat i bashkëpunimit të autoriteteve holandeze dhe Interpolit.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr.19/2022, i cili është regjistruar në bazë të informacioneve të përcjella nga autoritetet e drejtësisë së Mbretërisë së Holandës.

Nga veprimet e kryera deri në këtë fazë të hetimit ka rezultuar se, shtetasit R.R., D.GJ., A. R. në bashkëpunim me shtetasin D.D. (punonjës policie) kanë konsumuar faktin penal të sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer një vrasje, në dëm të shtetasit Xh. P., ngjarje e planifikuar të realizohej më datë 17.09.2019, në Durrës.

Në datën 16.12.2023, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar caktimin e masave të sigurimit personal “arrest në burg”, ndaj shtetasve nën hetim R.R., D.GJ., D.D. (punonjës policie në atë kohë në DVP Durrës) dhe A.R.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.138 me datë 20.12.2023 ka vendosur:

Caktimin e masave të sigurimit personal të karakterit  shtrëngues “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, ndaj të hetuarve R.R, D.GJ, D.D. dhe A.R, si të dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Xh.P., kryer në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 80, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Në 22.12.2023, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka ekzekutuar masat e sigurimit personal “arrest ne burg”, për të hetuarit R.R., A.R., dhe D.GJ. Gjithashtu në datën 22.12.2023 është arrestuar në Limburg, Holandë edhe shtetasi nën hetim D.GJ. Arrestimi i D.GJ. u bë si rezultat i bashkëpunimit me autoritetet e Mbretërisë së Holandës dhe Interpol.

Falenderojmë Policinë e Shtetit për profesionalizimin e treguar dhe bashkëpunimin e ngushtë, gjatë fazës së ekzekutimit të vendimit të gjykatës.

Falenderim të veçantë për agjencitë ligjzbatuese të Mbretërisë së Holandës për bashkëpunimin intensiv dhe kontributin e dhënë në kuadër të hetimeve të këtij procedimi penal.

*Sqarim: Gjithkush prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë.

Si ka funksionuar skema

Në kohën kur ka qënë në drejtimin e komisariatit të policisë në Shijak, Dedan Gjoni ka shoqëruar shtetasin Xhevdet Plaku, i cili njihej me pseudonimin “Akili”, dhe i ka dërguar autorëve që planifikonin vrasjen foton e tij. Po ashtu ai ka njoftuar se kur do të dilte Plaku nga komisariati i policisë. Në këtë mënyrë Gjoni, me detyrë shef policie, ka nxjerrë në pritë shënjestrën, i cili fatmirësisht ka arritur të mbijetonte. Rezulton po ashtu se urdhri për të kryer këtë krim të rëndë është dhënë nga Holanda dhe dyshohet se lidhet me prishjen e pazareve të drogës, mes grupeve kriminale që veprojnë në qytetin e Durrësit. Porosia e vrasjes dyshohet se është bërë për shkak se Plaku ka vrarë një person të afërt të Arapit, ngjarje e ndodhur kjo në shtetin italian. /ZËRI/

Poll

MOS HUMB