Aktualitet

Akuzat për korrupsion zgjedhor, Shkreli në GJKKO: Nuk kam premtuar asgjë kundrejt votës

Para trupës gjykuese të GJKKO-së, ai theksoi se nuk ka premtuar dhe as ofruar asgjë në këmbim të votës.

l.k
Akuzat për korrupsion zgjedhor, Shkreli në GJKKO: Nuk kam premtuar
Kristian Shkreli

TIRANË- Kryebashkiaku i Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, ka dëshmuar sot në Gjykatën e Posaçme lidhur me akuzën për korrupsion aktiv në zgjedhjet e kaluara. Para trupës gjykuese të GJKKO-së, ai theksoi se nuk ka premtuar dhe as ofruar asgjë në këmbim të votës.

Në dëshminë e tij, ai u shpreh se fshati Stajkë kishte problematika me energjinë elektrike që prej vitit 2019. Sipas tij, telefonatat e shpeshta me banorët e zonës lidheshin me çështjet dhe problematikat që ata kishin.

Ai sqaroi para prokurorit Dritan Prençi edhe mesazhin që iu gjet në telefon, duke u shprehur se fjalën "zjerm" e kishte përdorur për të përshkruar takimin elektoral që do të zhvillonte Partia Socialdemokrate, e drejtuar nga Tom Doshi.

Pjesë nga seanca:

Kristian Shkreli: "Nuk kam ofruar dhe as premtuar asgjë në këmbim të votës. Fshati Stajkë kishte problematika me energjinë elektrike që në vitin 2019. Unë çdo ditë bëj telefonata për problematikat e banorëve. Mund të jem edhe sot në përgjim. Dje telefonova një drejtor tjetër, pasi kishte problem me dritat në një fshat tjetër. Marr edhe drejtorin e spitalit kur ka problematika dhe më vijnë ankesa.

Mesazhi që prokuroria thotë 'jepi zjerm' lidhet me faktin që kam kërkuar që në takimin elektoral të kishte brohoritje dhe ovacione, jo që të kërkoheshin vota apo të ofroheshin të mira materiale ose vende pune. Kam kërkuar që në miting të vinin sa më shumë njerëz, si në atë të PS-së, ashtu edhe në atë të PSD-së.

Ka qenë një situatë e tensionuar. Më kanë marrë në telefon qindra herë për problemet e banorëve. Telefoni nuk më pushonte nga ankesat. Banorët kishin dy javë pa energji elektrike.

Një frazë që prokuroria thotë se ua kam thënë banorëve, 'ua kam dhënë unë lekët', ishte vetëm për t'i bindur qytetarët se defekti në linjë do të rregullohej, por unë nuk i kam dhënë asnjë lek OSHEE-së.

Agjentët e BKH-së erdhën në banesën dhe lokalin tim. Ishin shumë forca policie. Djemtë e nderuar më kontrolluan dhe më morën telefonin që kisha në dorë. I pyeta se çfarë u duhej. Më thanë: 'Na jep fjalëkalimin e celularit'. U thashë: 'Patjetër'. Ua hapa celularin dhe ua dhashë."

Prokurori i SPAK-ut, Dritan Prençi: "I pandehur, në disa biseda në celular u ke thënë: 'Të martën e ke të kryer, veç shife mos po na vonon veç për Tomën. Zjerm! Si me kenë për mua, jua di për nder.' Për çfarë flitet në këtë bisedë? Gjithashtu, i ke thënë në celular: 'Nuk e presim dot shtetin, se shteti e ka në terezi'. Çfarë ke dashur të thuash? Po fraza 'Sot më prune preventivin', çfarë pune i kreve?"

Kristian Shkreli: "E kam thënë si batutë, për t'ia mbushur mendjen se këtë problem po e zgjidhja unë. Fjalën 'zjerm' e kisha për mitingun e Tom Doshit, që të vinin sa më shumë njerëz."

Hetimet e SPAK-ut për Shkrelin kanë nisur më 20 mars, mbi një muaj para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025. Në maj 2025, në prag të zgjedhjeve, Shkrelit iu sekuestrua telefoni celular dhe iu ushtrua kontroll.

Shkreli dyshohet për veprën penale të korrupsionit zgjedhor, pasi dyshohet se ka blerë vota në favor të PSD-së së Tom Doshit. Së bashku me të, nën hetim janë edhe tre persona të tjerë, të cilët dyshohet se janë përfshirë në veprimtarinë kriminale të shitblerjes së votës në qarkun e Shkodrës.

Kryebashkiaku socialist ishte gjithashtu në shënjestër të kritikave të kryeministrit Edi Rama. Para sekuestrimit të telefonit, gjatë një takimi elektoral në Shkodër, ZËRI kapi momentin kur Rama e kritikoi nën zë Shkrelin. Në momentin që kishte hequr mikrofonin nga dora dhe po largohej, kryeministri u ndal përballë tij dhe i tha:"Kristian, mos më luaj me dy porta, Kristian! Mos më luaj me dy porta!"/ZËRI

Poll

MOS HUMB