Aktualitet

Alarm në Postribë! Ngordhin bagëtitë, ferma vendoset në karantinë, i paqartë lloji i infektimit

Karantina në fermë do të vijojë deri në përfundimin e rezultateve laboratorike dhe marrjen e masave të nevojshme për parandalimin e përhapjes së mundshme të sëmundjes.

F.I
Alarm në Postribë! Ngordhin bagëtitë, ferma vendoset në
PAMJE NGA VENDNGJARJA

SHKODËR-Një fermë bagëtish në fshatin Domen, Shkodër, është vendosur në karantinë nga Shërbimi Veterinar pas shfaqjes së simptomave të një sëmundjeje të dyshuar virale, shumë ngjitëse, te bagëtitë e imta. 

Pronari i kësaj ferme, Zamir Milani, thotë se i kanë ngordhur 3 krerë dhe një tjetri 6 të tjera, ndërsa ka informacion se kjo sëmundje është përhapur edhe te delet në atë zonë.

“Kjo situatë ka prej dy javësh që unë e kam shqetësim. Deri tani kanë ngordhur 2 prej tyre dhe një tjetër ka mbetur në mal dhe besoj edhe ajo ka ngordhur. Unë kërkoj të zbulohet sëmundja sepse kam 6 milionë lekë të vjetër investim në këtë fermë. Nëse shkojmë në pazar, nuk ka asnjë bagëti të matrikulluar. Para 3 muajsh kam bërë blerjet. Nga një bisedë me një fermer në Berat, që e njoh, më tha se dhitë vijnë nga Greqia. Greqia pastron fermat e veta dhe na i sjell ne të infektuara. Ka edhe ferma të tjera në zonë që mund ta kenë këtë problem dhe besoj është përhapur edhe te delet, por kanë frikë të flasin sepse jemi para Kurban Bajramit. Unë i kam blerë për qumësht dhitë dhe më përpara bënin 45 litër qumësht, tani vetëm 10 litër. Unë mendoj se 60% është e përhapur në zonën tonë”,-deklaron pronari i fermës, Milani.

Në vendngjarje ka mbërritur grupi i punës i Shërbimit Veterinar së bashku me shefin e këtij shërbimi në Shkodër, Muhamed Bisha. Ky i fundit tha se pas verifikimit të gjendjes në terren, është konstatuar se disa prej bagëtive paraqesin simptoma të një sëmundjeje infektive, por për të përcaktuar me saktësi llojin e virusit, janë marrë mostra gjaku të cilat do të dërgohen për analizë në laboratorin veterinar në kryeqytet dhe rezultatet mund të dalin pas 48 orësh.

"Është e paqartë se me çfarë sëmundjeje janë prekur dhitë, ndaj edhe do të bëhen analizat. Blerja e bagëtive të imëta nga fermeri këtu është bërë për certifikatë matrikullimi dhe ky është një problem. Zakonisht këto sëmundje prekin maksimalisht deri në 30% të bagëtive në fermë. Deri më tani nuk kemi informacion për ndonjë fermë tjetër dhe nëse dikush ka probleme duhet që të na njoftojnë menjëherë. Këtë fermë këtu e kemi vënë në karantinë deri në ardhjen e përgjigjes dhe marrjen e masave të duhura. U bëj thirrje fermerëve që kur të blejnë bagëtitë t’i marrin me certifikatë matrikullimi”,-tha Muhamet Bisho

Autoritetet bëjnë thirrje për vigjilencë dhe bashkëpunim nga ana e fermerëve në zonë, ndërkohë që karantina në fermë do të vijojë deri në përfundimin e rezultateve laboratorike dhe marrjen e masave të nevojshme për parandalimin e përhapjes së mundshme të sëmundjes./ZËRI

Poll

MOS HUMB