
TIRANË – Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka dorëzur ditën e sotme në Kryeministri, projektin final të amnistisë penale. Manja deklaroi se me projekt-ligjin e propozuar, rritet numri i të dënuarve që do të amnistohen. Kjo, pasi në të janë përfshirë edhe të dënuar të tjerë, sipas rekomandimeve të SPAK, Prokurorisë së Përgjithshme dhe KLGJ-së.
“Kemi reflektuar rekomandimet e kërkuara nga SPAK, KLGJ dhe Prokuroria e Përgjithshme, duke bërë një amnisti dhe më të plotë, nga e cila do të përfitojnë 620 të dënuar”, tha ministri Manja.
Përmes projekt-ligjit përfitojnë dhe përjashtohen nga vuajtja e dënimit burrat e dënuar me vendim të formës së prerë me burgim deri në 3 vite ose çdo dënim tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën ose një dënim tjetër alternativ, për dënime të dhëna deri më datë 30.11.2023, pavarësisht sesa kohë mbetet nga dënimi.
Gjithashtu, përfitojnë dhe përjashtohen nga vuajtja e dënimit, gratë që janë dënuar me burg deri në 4 vite, ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, përrfshirë gjobën ose çdo lloj dënimi tjetër alternativ, për dënime të dhëna deri më datë 30.11.2023, pavarësisht faktit sesa kohë mbetet për të vuajtur dënimin.
Ministria e Drejtësisë deklaron se qëllimi i projekt-ligjit është që të përjashtojë nga vuajtja e dënimit ose ndjekja penale, në mënyrë të plotë ose të pjesshme, të gjithë personat që plotësojnë kushtet, sipas projekt-ligjit në fjalë. Dhënia e amnistisë udhëhiqet nga parimi i humanizmit./Zëri.ai/