TIRANË- Një ditë pasi gjykata e Apelit të Posaçëm vendosi kthimin e dosjes së Aurel Zarkës për rigjykim, nën dyshimet se ai ka vepruar si grup kriminal, ky i fundit reagoi menjëherë duke ushtruar rekurs në Gjykatën e Lartë.
Zarka ka apeluar vendimin me 4 vite burg të dhënë nga Gjykata e Posaçme, ndërkohë që në Gjykatën e Lartë relator për rekursin e tij është caktuar Sokol Binaj, i cili më pas do të vendosë edhe datën se kur do të zhvillohet seanca për ish-kryeprokurorin e Vlorës.
Sipas vendimit të Apelit të Posaçëm, i cili u bë dje publik, provat dhe rrethanat tregojnë qartë se jo vetëm Zarka, por edhe tre të pandehurit e tjerë të çështjes kanë bashkëpunuar si një grup i strukturuar kriminal, ndryshe nga vlerësimi i prokurorëve të çështjes, si dhe i gjyqtarëve të Shkallës së Parë, të cilët e cilësuan si bashkëpunim të thjeshtë në rrethana rënduese.
Sipas SPAK-ut, prokurori dhe personat e tjerë akuzohen se kanë ushtruar ndikim të paligjshëm në tetë çështje penale që po hetoheshin në katër prokurori të ndryshme dhe që lidhen kryesisht me aktivitete të krimit të organizuar si pastrimi i parave apo kultivimi i narkotikëve.
Një prej çështjeve penale e njohur si “Toyota Auris”, u regjistrua pas bllokimit në portin e Durrësit, në qershor të vitit 2018, të 3.4 milionë eurove ‘cash’ të fshehura në dy makina të përdorura dhe të importuara nga Belgjika.
Gjykata e shkallës së parë e dënoi ish prokurorin me 2.8 vite burg në aplikim të gjykimit të shkurtuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm dhe korrupsion./ZËRI