Aktualitet

Apeli lë në fuqi dënimin me burg për ish-sekretaren e Ministrisë së Shëndetësisë

Duro është dënuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me 4 vite heqje lirie burg, nga të cilat për shkak të gjykimit të shkurtuar përfitoi ulje të 1/3 së dënimit.

k.m.
Apeli lë në fuqi dënimin me burg për ish-sekretaren e
Joana Duro

TIRANË- Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin për dënimin e ish-sekretares së Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro. Duro është dënuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me 4 vite heqje lirie burg, nga të cilat për shkak të gjykimit të shkurtuar përfitoi ulje të 1/3 së dënimit. Si përfundim, duhet të vuajë 2 vite e 8 muaj burg.

Me 1 vit burg është dënuar edhe Laura Shteto, Vladimir Topi dhe Silvi Shehi. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i tyre konvertohet në 8 muaj. Për specialisten e nivelit të lartë, Laura Shteto dhe për inxhinierin, Silvi Shehi SPAK kërkoi 1 vit e 6 muaj burgim. Ndërsa për Vladimir Topin, administratorin e kompanisë “Dricons” u kërkua 2 vite burg.

Ish-sekretarja dhe punonjësja e Ministrisë së Shëndetësisë u arrestuan për të njëjtën vepër penale. Në dosje thuhet se nga provat, Joana Duro me funksion të lartë shtetëror, rezulton se me veprimet e kundraligjshme ka konsumuar elementet e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve te larte shtetërorë ose i te zgjedhurve vendorë”, duke përfituar vlerën prej 330.000 leke, me qëllim favorizimin e shoqërisë “Dricons” sh.p.k, me administrator Vladimir Topi për tenderin e ministrisë.

Prokuroria e Posaçme thotë se pas hetimeve, rezulton se ka qenë Vladimir Topi, i cili i ka dhënë Duros 330 mijë lekët që ta favorizonte në tenderin e hapur nga Ministria e Shëndetësisë. Sa i takon, inxhinierit të kompanisë, Silvi Shehi, ai ka marrë shumën prej 330 mijë lekë dhe ia ka dërguar Laura Shtetos, specialiste e Nivelit të Lartë në Agjencinë e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara. Shteto dhe inxhinieri i kompanisë ‘DRICONS’ kanë bërë lidhjen mes sekretares së Shëndetësisë dhe administratorit Vladimir Topi. Shteto pasi ka marrë lekët nga inxhinieri i kompanisë “DRICONS”, ia ka dërguar sekretares së përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë. Duro dhe Shteto i kanë mohuar akuzat ndaj tyre, ndërkohë që sipas SPAK, nga audio përgjimet për ryshfetin e marrë nga zyrtarja e lartë, rezultojnë të dhëna për dyshime për abuzime me fondet shtetërore. Paratë u gjetën në zyrën e sekretares në një zarf të bardhë të mbyllur ku veç parave ndodheshin edhe dy letra formati A4 analiza spitalore në emër të Genci Shteto. Nga zbardhja e bisedave telefonike më datë 13 prill mes Genci Shtetos dhe Vladimir Topit.

NJOFTIMI I APELIT TË GJKKO:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Miliana Muça (kryesuese), Dhimitër Lara (anëtar) dhe Engert Pëllumbi (anëtar), sot më datë 10.05.2024, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 22 akti, datë 18.03.2024 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesit/të pandehurit J.D., V.T., kundër vendimit nr. 75, datë 13.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka vendosur: • “Deklarimin fajtor të të pandehurës J.D., për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal dhe dënimin e saj me 4 (katër) vjet burgim. • Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurën J.D. me 2 (dy) vjet e 8 (tetë) muaj burgim. • Në aplikim të nenit 35 të Kodit Penal, heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurën J.D. për 5 (pesë) vjet. • Bazuar në nenin 33 të Kodit Penal si dhe nenin 15 të Ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, vuajtja e dënimit për të pandehurën J.D. do të fillojë të llogaritet nga dita e arrestimit të saj dhe do të kryhet në një nga Institucionet për të dënuarit e rritur dhe të sigurisë së zakonshme. • Deklarimin fajtor të të pandehurit V.T., për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245 e 25 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim. • Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurin V.T. me 8 (tetë) muaj burgim. • Bazuar në nenin 33 të Kodit Penal si dhe nenin 15 të Ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, vuajtja e dënimit për të pandehurin V.T. do të fillojë të llogaritet nga dita e ndalimit të tij dhe do të kryhet në një nga Institucionet për të dënuarit e rritur dhe të sigurisë së zakonshme. • Shpenzimet proceduriale të kryera gjatë fazës së hetimit paraprak, seancës paraprake dhe gjatë gjykimit, i’u ngarkohen të pandehurve në mënyrë solidare. • Kundër vendimit lejohet apel brenda afatit ligjor, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar…”

Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi: 1. Ndryshimin e vendimit nr.75, datë 13.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar si më poshtë: • Deklarimin fajtor të të pandehurës J.D., për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 259, paragrafi dytë i Kodit Penal dhe dënimin e saj me 4 (katër) vjet burgim. • Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurën J.D. me 2 (dy) vjet e 8 (tetë) muaj burgim. • Në aplikim të nenit 35 pika 1 të Kodit Penal, heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurën J.D. për një periudhë prej 5 (pesë) vjetësh. • Deklarimin fajtor të të pandehurës L.Sh., për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 244, paragrafi dytë, në lidhje me 25 të Kodit Penal dhe dënimin e saj me 1 (një) vit burgim. • Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurën L.Sh. me 8 (tetë) muaj burgim. • Deklarimin fajtor të të pandehurit V.T., për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 244, paragrafi dytë, në lidhje me nenin 25 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim. • Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurin V.T. me 8 (tetë) muaj burgim. • Deklarimin fajtor të të pandehurit S.Sh., për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 244, paragrafi dytë, në lidhje me nenin 25 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim. • Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurin S.Sh. me 8 (tetë) muaj burgim. 2. Lënien në fuqi të vendimit për pjesët e tjera të tij. 3. Shpenzimet gjyqësore në apel i ngarkohen të pandehurve apelues solidarisht./ZËRI

Poll

MOS HUMB