
SHKODËR- Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit, ka reaguar nga Turqia për lajmin e arrestimit të 31-vjeçarit nga Shkodra. Në një reagim të parë, Lici pretendon se 31-vjeçari nuk është arrestuar nga Policia, por është vetëdorëzuar me vullnet të plotë pranë shtetit turk, për të kërkuar azil. Sipas tij, i vëllai nuk ndjehet i sigurtë në Shqipëri, duke pretenduar se shteti po bashkëpunon me bandat dhe është në shënjestër për t'u eliminuar. Ndaj edhe ka vendosur që të dorëzohet vetë pranë autoriteteve turke.
"Vëllai im nuk është arrestuar siç deklaroi me bujë Policia e Shtetit në Shqipëri por është vetëdorëzuar tek autoritetet turke me qëllim për të kërkuar azil pasi nuk ka besim tek shteti dhe qeveria shqiptare. Shteti në Shqipëri është vërtetuar se bashkëpunon me bandat kriminale ndaj Ibrahimi ka vendosur që të vetëdorëzohet në Turqi. Në Shqipëri vëllait tim i rrezikohet jeta dhe në këtë mënyrë ka vendosur që të vetëdorëzohet. Nuk është e vërtetë se është arrestuar por si gjithmonë policia kërkon që t’i bëjë të bujshme edhe pse nuk ka asgjë të vërtetë. Vëllai im është i pafajshëm pasi nuk ka kryer asnjë vrasje dhe kjo është e vërtetuar por drejtësia shqiptare nuk do që t’i marrë parasysh. Ibrahimi do të ndjekë procedurat e azilkërkuesit në Turqi dhe nuk mund të ekstradohet pasi në Shqipëri jeta e tij është në rrezik nga bashkëpunimi i shtetit me bandat kriminale.
Ibrahim Lici i shpallur në kërkim për vrasjen e Endri Mustafës, është arrestuar në Turqi. Lici u lokalizua nga policia shqiptare dhe u njoftuan autoritetet turke. Megjithatë pas pretendimeve të Hamza Licit se 31-vjeçari nuk është arrestuar, por vetëdorëzuar, nuk ka pasur asnjë kundërreagim nga ana e Policisë së Shtetit./ZËRI