
RRËSHEN – Policia në Rrëshen ka arrestuar një mjek 63-vjeçar, i akuzuar për përvetësim të parave. I arrestuari me profesion mjek ligjor në Spitalin e Rrëshenit ka marrë 100 euro nga një qytetar, për të kryer një akt ekspertim.
Prangosja e mjekut është bërë pas kallëzimin penal nga shtetasi Gj.S, 55 vjeç. Ky i fundit ka kryer kallëzimin në Komisariatin e Lezhës. Menjëherë është vënë në lëvizje policia, që ka arrestuar mjekun, ndërsa po heton ngjarjen. Rasti është transmetuar në një emision investigativ.
“Mori një shumë parash, për të kryer një akt ekspertimi, vihet në pranga 63-vjeçari, me detyrë mjek ligjor në spitalin e Rrëshenit. Sekuestrohet shuma 100 euro që mori i arrestuari. Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të shtetasit Gj. S., 55 vjeç, banues në fshatin Spiten, Lezhë, se një mjek ligjor i spitalit të Rrëshenit, i kishte kërkuar dhe i kishte marrë 100 euro për të kryer një akt ekspertimi mjeko-ligjor për një çeshtje të 55-vjeçarit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë arrestuan në flagrancë shtetasin Z. P., 63 vjeç, banues në Rrëshen, me detyrë mjek ligjor në spitalin e Rrëshenit.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast u sekuestrua si provë materiale, shuma 100 euro që 63-vjeçari i mori shtetasit Gj. S., në kundërshtim me ligjin. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale "Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike". Ky rast është ndjekur në bashkëpunim me gazetarët e emisionit investigativ "Piranjat", ndaj Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë i falënderon ata. Gjithashtu, fton gazetarët dhe qytetarët që të denoncojnë çdo paligjshmëri, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm, konform ligjit”, njofton policia./Zëri.ai/