
DUBAI- Durim Bami është arrestuar në Dubai. Lajmin e ka konfirmuar sot Policia e Shtetit me një njoftim zyrtar, duke bërë me dije se 45-vjeçari nga Fushë Kruja është vendosur në pranga në kuadër të operacionit "Revanshi". Por deri më tani nuk ka asnjë njoftim lidhur me atë që do të ndodhë me të vëllanë e tij, Valterin. Kjo pasi vetëm pak ditë më parë, Durim Bami u shoqërua së bashku me të vëllanë dhe një mikun e tyre, i cili nuk është identifikuar ende me emër. Por arrestimi i tij është i paqartë pasi Policia e Shtetit pretendon se arrestimi i tij është bërë me qëllim ekstradimin, por deri më sot Dubai nuk ka marrëveshje ekstradimi me asnjë vend, ndaj edhe është kthyer në një "parajsë" të personazheve të botës së krimit.
NJOFTIMI I PLOTË:
Si rezultat i shkëmbimit të menjëhershëm të informacionit, ndërmjet strukturave të Policisë së Shtetit dhe homologëve në Emiratet e Bashkuara, u arrestua në Dubai, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi D. B., 45 vjeç. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 15.05.2024, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurise "Arrest në burg", per veprat penale "Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale per te kryer vrasje", “Grupi i strukturuar kriminal", "Kultivimi i bimëve narkotike", dhe "Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal". Vijon procedura per ekstradimin e ketij shtetasi drejt vendit tone.
Në kuadër të operacionit ‘Revansh’, i cili u finalizua nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Durim Bami akuzohet se kishte krijuar kushtet për të vrarë Arben Ndokën, Tori Xheçukën dhe Erigers Mihasin. Po ashtu sipas dosjes efektivi i RENEA-s, Altin Morina rezulton se kishte bashkëpunuar me Durim Bamin për të organizuar kultivimin e bimëve narkotike në zonën e Niklës së Tapizës.
Burime për ZËRI bëjnë me dije se ndaj Durim Bamit, është lëshuar edhe një urdhër arrest për atentatin e dështuar ndaj Marklen Hakës në vitin 2019, ku mbeti e vrarë halla e tij. Për këtë ngjarje është arrestuar dhe Naim Stafuka, vëllai i Enver Stafukës, i cili edhe sot rezulton i zhdukur. Po ashtu, mbi Durim Bamin janë ngritur dyshime se ka gisht edhe në dy ngjarje të tjera kriminale, siç është vrasja e Gentjan Bejtjas në Larushkë në Fushë Krujës dhe Roan Brahimit, pak muaj më parë në Greqi. Megjithatë për të dyja rastet Bami është i dyshuar, pasi ndaj tij (të paktën deri më tani) nuk janë ngritur akuza./ZËRI