TIRANË- Naun Shundi, regjisor, dramaturg, aktor i më shumë se 100 roleve në Teatër dhe 20 në film, është diagnostifikuar me kancer. Sëmundja e ka detyruar që të lërë punën në teatrin Zonja e Bujtinës, i themeluar nga vetë ai, ndërsa është dërguar në një spital të Francës për mjekim të specializuar. Në kushte të tilla, familja e artistit kërkon ndihmën e shqiptarëve për ta shpëtuar, pasi kostat e larta në spital janë të papërballueshme.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Kulturës kanë garantuar trajtimin mjekësor për artistin dhe intelektualin që ka kaluar më shumë se 46 vite në Tetarin Kombëtar. Përmes një deklarate, bëhet me dije se Minsitria e Shëndetësisë ka ofruar mbështetjen, duke garantuar mbulimin e të gjitha shpenzimeve mjekësore. Sipas deklaratës, pritet që aktori të rikthehet në Shqipëri, ku do të nisë trajtimin pranë Qendrës së Specializuar në QSUT.
DEKLARATË PËR SHTYP:
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, sqaron opinionin publik lidhur me gjendjen shëndetësore të aktorit të njohur Naun Shundi.
Pas njoftimit të marrë më datë 7 gusht 2025 nga MEKI, Ministria e Shëndetësisë është vënë menjëherë në kontakt me familjarët e aktorit dhe ka ofruar mbështetjen e saj të plotë. Fillimisht u garantua gatishmëria për mbulimin e të gjitha shpenzimeve të ndërhyrjes mjekësore të nevojshme.
Gjatë pritjes së rezultatit të biopsisë, u konstatua nevoja për mbështetje të mëtejshme në vijimin e trajtimit. Edhe në këtë fazë, Ministria rikonfirmoi gatishmërinë e saj për të ofruar ndihmë të plotë.
Aktualisht, aktori pritet të rikthehet në Shqipëri, ku do të nisë trajtimin pranë Qendrës së Specializuar në QSUT.