
TIRANË- Ndue Përlleshi, babai i Mario Përlleshit nuk pranon që djali i tij të jetë autori i vrasjes së Martin Canit. Në një prononcim për “Top Story”, ai u shpreh se djali i tij është fëmijë, që nuk kupton nga jeta dhe se nuk i ka rrëfyer që të jetë ai personi që ka vrarë Martinin. Sipas Ndue Përlleshit, Mario ndodhet ende në spital në gjendje shoku. Ai shton se po përpiqet që të kontaktojë me familjen Cani dhe se ua kupton dhimbjen.
“Nuk kam folur jam duke tentuar. Nuk keni pse ndërhyni, kam aq burrni dhe karakter dhe shpirt sa për të folur me familjen e tij. Nuk i kam bërë keq kurrë. Nuk jam një familje ordinerësh, por një familje e lartë, punojmë bashkë me nusen, kemi një djalë për mall dhe atë u munduam ta rrisim siç duhet ta rrisim, por normalisht çdo gjë …. nuk di çfarë të them tjetër…. familjen time nuk mund ta prishë kush. Familja ime ka vepra. Pjesën e dhimbjes e ndaj me zotërinë, sikur me pas vdek djali im. Nuk di asgjë, thjeshtë di që djali im akuzohet për atë pjesë… Nuk di asgjë. Po të dihej nuk do kishte ndodhur kjo gjë…. Një djalë për mall kam… Unë nuk kam fjalë për të thënë, nuk di fjalë me gjet për ngushëllime për familjen që i ka ndodhur tragjedia. Spekulimet e njerëzve nuk më interesojnë…. Por të spekulohet për një 14-vjeçar që nuk e di se çfarë është jeta, çfarë është sherri, çfarë ka bërë, nuk di gjë se çfarë ka bërë, inshallah se ka bërë, se nuk kam parë asnjë filmim, le ta marrë ligji në dorë. Djali është i shokuar, nuk di se çfarë thotë. Djali është në spital. Fjalët e miletit unë nuk i ndaloj dot se nuk më intereson fare, mua më intereson dhimbja e familjes dhe… Djali im është në spital. Është kalama, është i tronditur dhe është në gjendje shoku, dhe unë dhe nusja jemi në gjendje shoku,”- u shpreh ai.
I pyetur nëse ka qenë në makinë me djalin në momentin që ai ka postuar foto pas krimit në rrjetet sociale, ai e mohon duke thënë se ka prova që vërtetojnë se ai ka qenë në punë në momentin e ngjarjes.
“Ka fakte nga kam qenë unë kur ka ndodhur problemi. Unë kam qenë në punë në ndërtim, ka kamera”, tha ai.
Ngjarja e rëndë që tronditi vendin ndodhi të hënën. Të rinjtë, Martin Cani dhe Mario Prelleshi ishin konfliktuar gjatë pushimit të gjatë, por ishin ndarë nga roja i shkollës dhe mësuesit. Disa orë më pas, rreth orës 13.00, kur edhe kishin përfunduar mësimin, u ritakuan në oborr ku edhe u përleshën me thika. Autori vrau 14-vjeçarin dhe plagosi shokun e ngushtë të viktimës, Luis Meçen. Gjatë marrjes në pyetje për shkakun e sherrit, autori është shprehur se përplasja kishte nisur për një "pse më shikon?", por në asnjë moment nuk ka shprehur pendesë./ZËRI