
BORSH- Banorët e fshatit të Borshit kanë protestuar sot, pasi Kadastra ka bllokuar certifikatat e pronësisë për tokën bujqësore, që ata kanë përfituar nga ligji 7501. Pronat janë bllokuar prej një viti, pasi ka mbivendosje. Në protestën e sotme kanë marrë pjesë 50 familje, të cilat pretendojnë se shteti ia ka dhënë Komunitetit Mysliman sipërfaqen prej 7 mijë metrash katrorë.
Ata shprehen se pavarësisht ankesave dhe kërkesave të shumta, nuk kanë marrë asnjë zgjidhje konkrete nga instuticionet shtetërore.
“Kur erdhën prindërit e mi këtu, zona ishte moçalishte. E kemi kthyer në tokë të punueshme me shumë sakrificë. Tani nuk na e lejojnë ta gëzojmë,” – tha një banore.
Banorja Venedike Hoxha tregon se ka qenë 4 vjeç kur është vendosur me familjen në këtë zonë.
“Sot, unë nuk mund të përdor tokën që kam punuar gjithë jetën me prindërit e mi. Ky është një abuzim i pastër nga shteti. Sot ajo ertifikate është kthyer në një copë letër pa vlerë. Nuk kemi as të drejtë ta shesim, as ta punojmë. A është ky shteti që na premtoi pronat tona?”, shprehet ajo./ZËRI