
FUSH-KRUJË- Banorët e Krujës dhe Fushë Krujës kanë dalë sërish në protestë ditën e sotme, duke bllokuar aksin Thumanë-Kashar. Në vendngjarje ka patur një prezencë e madhe të forcave të policisë, ndërsa ka pasur edhe përplasje mes efektivëve dhe banorëve që kanë dal në protestë. Banorët janë ulur në asfalt dhe kanë bllokuar aksin, ndërsa tubimi u shoqërua edhe nga automjetet, shoferët e të cilëve u bini borisë.
I pranishëm ishte edhe drejtori në Drejtorinë e Policisë Rrugore Altin Qato, i cili ka qëlluar me shpullë një qytetar gjatë protestës së sotme në aksin Thumanë- Kashar. Mësohet se shkak është bërë ndotja akustike. Kreu i Policisë Rrugore e ka goditur qytetarin pasi ky i fundit i ka rënë borisë pa pushim në rrugë. Pasi kanë dashur ta shoqërojnë, Qato, në nerva e sipër e ka qëlluar me shpullë. Pas ngjarjes, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, ka urdhëruar pezullimin nga detyra të Altin Qatos. Ndaj drejtorit të Drejtorisë së Policisë RRugore ka filluar edhe një hetim për shkelje të rëndë disiplinore.
Njoftimi i policisë:
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, sapo është njohur me një video të publikuar në rrjete sociale dhe në media, ka urdhëruar menjëherë Drejtorinë e Standardeve Profesionale në DPPSH, për pezullimin paraprak nga detyra të Drejtorit të Policisë Rrugore Drejtues i Parë A. Q. Gjithashtu, ndaj tij ka filluar hetimi disiplinor për shkelje të rëndë disiplinore, të parashikuar nga neni 204, pika 2, germa “a”, e rregullores së Policisë së Shtetit, "Sjellja e rendë diskredituese”. Hetimi disiplinor do të kryhet në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.
Sqarojmë opinionin publik se qytetarët që shfaqen në video nuk ishin pjesë e protestës që po zhvillohej nga banorët e zonës në aksin rrugor Thumanë -Kashar, por udhëtonin me mjetin e tyre në drejtim të Tiranës, duke kryer manovra në rrugë dhe kundërshtuar e ofenduar punonjësit të Policisë Rrugore, të cilët i kanë këshilluar për të ulur shpejtësinë dhe për të qëndruar në rradhë deri sa të normalizohej lëvizja. Edhe pas këshillimit nga ana e punonjësve të Policisë Rrugore, këta shtetas kanë vijuar t’i bien pa pushim sistemit zanor të automjetit, duke shkaktuar shqetësim te përdoruesit e tjerë të rrugës dhe njëherazi irritim të tyre.
Shtetasit E. Q. 36 vjeç, dhe Gj.K, 36 vjeç janë shoqëruar në ambientet e Policisë dhe në përfundim të veprimeve janë proceduar penalisht për “Mosbindjes ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik”. Policia e Shtetit mbetet e vendosur për të zbatuar ligjin dhe për të respektuar të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve, duke mos lejuar asnjë rast të cënimit të tyre pa u ndëshkuar ligjërisht. Ndërkohë, kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve dhe të përdoruesve të rrugës që të zbatojnë rregullat dhe udhëzimet e autoriteve policore në rastet kur ka ngadalësim apo bllokim të lëvizjes së automjeteve për arsye të ndryshme.
Qytetarët shprehen se nuk kanë hyrje-dalje dhe se për të hyrë në rrugë, duhet që të shkojnë në Rinas. Banorët e Krujës, Fushë Krujës dhe të Thumanës shprehen se bizneset e tyre janë duke falimentuar, pasi automjetet nuk kanë kalojnë më aty. Ata kanë kërkuar nga institucionet që të marrin masa dhe t’i krijojnë aksesin banorëve të zonës, pasi autostrada e re ka kthyer në një aks të “vdekur” rrugën e vjetër. Kjo është protesta e tretë e mbajtur dhe shprehen se do rikthehen sërish, derisa problemi i tyre të gjejë zgjidhje./ZËRI