
VLORË- Luçiano Deraj, i cili u vu në prangat e policisë së Vlorës, pas zbulimit të një baze armatimesh në fshatin Babicë, dyshohet se ka lidhje me grupin e Edison Harizajt, i cili mbeti i vrarë disa vite më parë. Harizaj, i cili njihet dhe me nofkën faqedjeguri, mbeti i vrarë në një atentat mafioz në Durrës, në vitin 2018.
Megjithatë në Vlorë qetësia nuk ra me vdekjen e tij. Pas atentatit në qytetin bregdetar ndodhën zhdukjet e disa të rinjve, që dyshohet se janë zinxhir i përplasjeve mes grupeve kriminale në qytet.
Sipas policisë pas vrasjes së Harizajt, Deraj dhe anëtarët e tjerë të grupit kanë rënë në sy për afërsinë me Ines Hajrullën, i cili ka rënë pre e disa atentateve, përgjatë viteve të fundit, por edhe me fisin Llanaj, raporton a2.
Sa i përket arsenalit të armëve që përfshinte snajperë, pistoleta, kallashnikovë, fishekë, maska, çifte, radiomarrëse dhe mina me telekomandë, nënvizohet se ai është më i madhi i gjetur ndonjëherë në qytetin bregdetar.
Për shkak të kalibrit 7.65 mm, snajperi që është sekuestruar dyshohet se është përdorur në ekzekutimin e fundit të ndodhur në Vlorë. Vrasja me snajper ndodhi më 7 janar në lagjen “Hajro Cakërri”, ku një predhë la të vdekur në vend 22-vjeçarin Gëzim Sinomati, teksa qëndronte në ballkonin e banesës së tij.
Maskat me silikon që janë gjetur përdoren për ndryshimin e imazhit të anëtarëve të grupit dhe bombat plastike për mos u kapur nga detektorët. Ato përfshihen në listën e mjeteve më të avancuara që përdorte ky grup ku Deraj bën pjesë. /ZËRI