Aktualitet

Beleri kërkoi leje për t'u betuar si kryebashkiak i Himarës, Gjykata shpall moskompetencë

Gjykata e Durrësit shpalli moskompetencë dhe ia ka kaluar kërkesën Gjykatës së Lartë për interpretim.

k.m.
Beleri kërkoi leje për t'u betuar si kryebashkiak i Himarës,
Fredi Beleri

TIRANË- Gjykata e Durrësit ka shpallur 'moskompetëncë' për Fredi Belerin. Ditën e sotme në Gjykatën e Durrësit u zhvillua seanca për shqyrtimin e kërkesës së kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, i cili kërkon që të lirohet përkohësisht vetëm sa për të bërë betimin si i zgjedhuri i qytetarëve për të drejtuar bashkinë e vogël në jug të vendit. 

Por Gjykata e Durrësit shpalli moskompetencë dhe ia ka kaluar kërkesën Gjykatës së Lartë për interpretim. Në këtë seancë ishin të pranishëm, tashmë si gjithmonë, ambasadorja greke Kostantina Kamitsi dhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule. Ky i fundit, pas seancës, në një prononcim për mediat tha se po bëhet një lojë juridike me qëllim që Beleri të mos betohet, ndonëse është i zgjedhur nga komuniteti i Himarës.

"E shikoni se topi hidhet në shkallët e stadiumit në vend që të luhet loja juridike me norma dhe rregulla, kompetenca e moskompetencës. Unë do u thosha të gjithëve, ti hedhim një sy konventës evropiane të të drejtave të njeriut. Një qytetar i cili prezulmohet i pafajshëm, i zgjedhur nga komuniteti i Himarës për të qenë kreu i bashkisë së tyre, si pengohet për të kryer betimin? S’ka asnjë ligj që e pengon të betohet. Ky është një vendim kryekëput politik. Ai mbahet në burg nga kryeministri Rama. Duhet të dallojmë me shumë vëmendje, kushdo mund të jetë i ndaluar por jo i dënuar,"-tha Dule ndër të tjera në fjalën e tij.

Kërkesa për leje u shqyrtua nga Gjykata e Durrësit pasi ai ndodhet në paraburgimin e Durrësit, por edhe sepse Gjykata e Posaçme ka shpallur fillimisht moskompetencë lidhur me kërkesën që ka bërë Beleri. Ndërkohë që vetëm pak ditë më parë, dy gjyqtarë të Durrësit hoqën dorë nga gjykimi i çështjes, ndaj u zgjodh që dosja do të shqyrtohej nga Entela Shedula.

Fredi Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit. Sipas prokurorisë, përgjimet e realizuara tregojnë se ai ka ofruar para në këmbim të votave në favor të tij. Beleri ka hedhur poshtë akuzat dhe ka thënë se ato kanë një sfond politik. Kërkesat e tij të herëpashershme për ndryshimin e masës së sigurisë janë refuzuar nga të gjitha shkallët e gjyqësorit deri tashmë. Arrestimi i tij ka acaruar dukshëm marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB