
TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rrëzon kërkesat papraprake të Fredi Belerit dhe Pandeli Kokaveshit për shpalljen e pavlefshme të akteve hetimore. Pranimi i një kërkese të tillë do të sillte pushimin e menjëhershëm të çështjes. Por në seancën e sotme, GJKKO vlerësoi se kërkesa e tyre nuk ishte e bazuar në ligj. Menjëherë pas këtij vendimi avokatët e Belerit kërkuan përjashtimin e trupës gjykuese.
Po ashtu, gjatë seancës, avokatët e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës kanë kërkuar që të merren në pyetje 13 dëshmitarë, ndërsa nga ana tjetër SPAK ka kërkuar vetëm 8 dëshmitarë. Në fund, u vendos që seanca e radhës për Belerin dhe Pandeli Kokaveshin do të mbahet më 7 nëntor.
Ndërkohë që seanca zhvillohej brenda, para Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar janë mbledhur disa qytetarë që kanë shpalosur një banderolë kundër Belerit, megjithatë ende nuk dihet ideatori i saj. Banderola e krahason Belerin me Milan Radoiçiç, ish-nënkryetarin e Listës Serbe, i cili akuzohet si "truri" i sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.
Në banderolën në fjalë shkruhet: Beleri në Jug, Radoiçiçi në Veri! Dy persona e kanë valëvitur banderolën para derës së Gjykatës, por asnjë nuk ka marrë përsipër autorësinë e saj.
Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit. Sipas prokurorisë, përgjimet e realizuara tregojnë se ai ka ofruar para në këmbim të votave në favor të tij. Beleri ka hedhur poshtë akuzat dhe ka thënë se ato kanë një sfond politik. Kërkesat e tij të herëpashershme për ndryshimin e masës së sigurisë janë refuzuar nga të gjitha shkallët e gjyqësorit deri tashmë. Arrestimi i tij ka acaruar dukshëm marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës./Zëri.ai