
TIRANË- Detaje të reja janë zbuluar nga kontrollet e zhvilluara nga forcat “RENEA” mbrëmjen e djeshme në Sauk në tenativë për të gjetur Eljon Haton, i cili njihet si krahu i djathtë i të shumëkërkuarit Ervis Martinaj. Në një vilë ngjyrë të bardhë në Sauk, Policia ka zbuluar një automjet tip 'Benz', i cili i përket Eljon Hatos. Pas kontrollit të mjetit uniformat blu kanë gjetur 2 armë zjarri dhe një bllokues valësh, saktësisht një pistoletë dhe një automatik.
Sipas burimeve, makina e blinduar dyshohet se i përket kushuririt të Ervis Martinajt, Emiljano Ninës. Emiljano Nina aktualisht ndodhet në paraburgim, pasi shkaktoi aksidentin e rëndë në digën e Liqenit Artificial në tetor të 2023, fatmirësisht pa dëme në njerëz. Mjeti përdorej nga një person tjetër, i cili po ashtu njihet si mik i Martinajt dhe është shpallur në kërkim nga Policia.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë/Vijon operacioni mbarëkombëtar "Sundimi i ligjit". Goditet, nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale, në DPPSh, dhe Komisariati i Policisë Nr. 1, një rast i armëmbajtjes pa leje. Sekuestrohen 2 armë zjarri (një pistoletë dhe një automatik), me krehra dhe sasi municioni luftarak, si dhe një bllokues valësh, që u gjetën në një automjet të parkuar, në Sauk. Punohet për kapjen e një 37-vjeçari, i cili dyshohet se përdorte automjetin, si dhe u referuan materialet në Prokurori, për pronarin e tij.
Shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh, dhe Komisariati i Policisë Nr. 1, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar "Sundimi i ligjit", bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë intensifikuar kontrollet dhe si rezultat:
▪️Në rrugën "Xhabrahimi", Sauk i Vjetër, shërbimet e Policisë, kanë gjetur në parkingun e një pallati, automjetin në pronësi të shtetasit E. N., 28 vjeç, (aktualisht ndodhet në paraburgim të IEVP 313, Tiranë). Brenda automjetit janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale dy armë zjarri (një pistoletë dhe një automatik), krehra dhe sasi municioni luftarak si dhe një bllokues valësh.
Kush është Eljon Hato?
Eljon Hato nuk është një emër i panjohur për policinë dhe prokurorinë shqiptare. Shoku i Ervis Martinajt ndodhej në lokalin Monopol mbrëmjen e 4 tetorit 2018, por edhe më herët ai ka qenë i përfshirë në ngjarje të rënda kriminale. Më 12 maj të vitit 2014, Eljon Hato nën efektin e alkoolit ka akuzohet se vrau një moshatarin e tij pas një sherri banal. Në fshatin Zus në Shkodër, Eljon Hato, asokohe 24 vjeç, ka vrarë Indrit Yllin si edhe ka plagosur Jetmir Mollën. Një vit më pas, pasi ndodhej në burgun e Shën-Kollit, Eljon Hato, akuzohet se ka porositur vrasjen e mjekut radiolog të spitalit të Shkodrës, Agron Terolli.
Hato kishte “pajtuar” një 21-vjeçar i cili do të kryente vrasjen, por fatmirësisht policia, falë të dhënave në rrugë operative, arriti t’a parandalonte ngjarjen e rëndë. Më datë 4 tetor 2018, si pasojë e një përplasje me armë mbeti i vrarë Fabjol Gaxha, truprojë e Ervis Martinajt, ku ky i fundit mbeti i plagosur së bashku me shokun e tij Eljon Hato. Njëri nga plumbat e ka zënë në shtyllën kurrizore./ZËRI