
TIRANË- Besimtarët e krishterë kremtuan në mesnatë lindjen e Krishtit, në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit. Në katedralen e Shën Palit në Tiranë, mijëra besimtarët ndoqën meshë “Vigjilja e Krishtit’ të drejtuar nga imzot Arjan Dodaj.
Kreu i kryedioqezës Mitropolitane Tiranë-Durrës përcolli mesazhin për më shumë dashuri dhe paqe për besimtarët katolikë.
“Të investohet më shumë tek familja në Shqipëri, tek familjet shqiptare. Të bëhen politika për familjet dhe jetën në këtë kohë dimër demografik që tashmë ka prek edhe vendin tonë. Falënderimi është si një shkallë që çon zemrën në lartësi dhe ngre lart shpirtrat duke kapërcyer tundimin e shkurajimit. E bën zemrën të aftë për të qenë mirënjohjes dhe jo më të pezmatuar në mërzinë e thashetheme dhe viktimizimit”, tha Dodaj.
Mesazhe paqeje dhe bujarie përcollën edhe besimtarët për njëri-tjetrin në këtë ditë të shënuar. Pas ceremonive fetare, besimtarët mblidhen në shtëpitë e tyre me më të dashurit për drekën festive dhe shkëmbejnë dhurata.
Papa Françesku ndërsa ka uruar besimtarët për Krishtlindje ka bërë thirrje për paqe dhe për dashamirësi mes njerëzve.
“Të veprojmë me mirësi dhe dashuri. Pa dhunë dhe pa cënuar lirinë. Mirësia e Zotit është ajo që ne duhet të përçojmë mes miqve, mes të dashurve, bashkëshortëve, prindërve, fëmijëve. Të jemi delikatë, të respektueshëm, të kujdesshëm me të tjerët. Në këto ditë duhet të mblidhemi nëpër kisha, të bëhemi bashkë në shtëpi, me të afërm apo miq që nuk I kemi parë prej kohësh, të dëgjojmë dhe vizitojmë njëri-tjetrin”, – tha në mesazhin e tij Papa Françesku.
Papa Françesku bëri thirrje edhe që lufta në botë të marrë fund.
“Ne jemi pranë vëllezërve dhe motrave tona që vuajnë nga lufta, mendojmë për Palestinën, Izraelin, Ukrainën. Ne mendojmë gjithashtu për ata që vuajnë nga varfëria, uria, skllavëria”, përfundoi Papa Françesku.
/ZËRI