Aktualitet

PLANI/ Bisedat e Kevin Suçit me Kasandër Nogën për vrasje: Flit me 'fushëkrujsit'

Ka qenë hapja e aparatit telefonik “iPhone 11” që përdorej nga Kasandër Noga në Belgjikë, ajo që ka sjellë zbardhjen e plotë të masakrës së Don Boskos, ku mbeti i vrarë Erion Çela dhe u plagosën Blerim Çela, Edmond Crroj, Arben Dani dhe Azbi Selimaj.

k.m.
PLANI/ Bisedat e Kevin Suçit me Kasandër Nogën për vrasje:
Kasandër Noga dhe Kevin Suçi

TIRANË- Bisedat që deri më tani konsideroheshin të "sigurta" duket se nuk janë. Zbërthimi i aplikacioneve "Signal" dhe "Telegram" kanë nxjerrë në dritë bisedat që Kasandër Noga ka zhvilluar me "të besuarin" e tij në Shqipëri, Kevin Ruçi (Zeneli) përgjatë viteve 2021-2022, teksa planifikonin vrasjen. Ka qenë hapja e aparatit telefonik “iPhone 11” që përdorej nga Kasandër Noga në Belgjikë, ajo që ka sjellë zbardhjen e plotë të masakrës së Don Boskos, ku mbeti i vrarë Erion Çela dhe u plagosën Blerim Çela, Edmond Crroj, Arben Dani dhe Azbi Selimaj.

Por këto nuk ishin shënjestrat! Objektivi ka qenë i qartë dhe i njëjti; hasmi i përjetshëm i Kasandër Nogën, anëtarët e familjes Hasanbelliu. Noga shfaqet në këto biseda me nofkën “Fratelo” ndërsa Kevin Suçi mban emrin e tij. Nga Belgjika, Noga kishte arritur që t'i siguronte një foto të Erjon Hasanbelliut, teksa qëndron në këmbë tek kafe Focus Lounge Bar në Tiranë. Sipas të dhënave që ka arritur të sigurojë gazetari Elton Qyno për "OraNeës" në këtë krim është zbuluar vetëm emri i Kevin Suçit dhe Roland Ahmetsulaj, por nuk dihet se kush janë dy personat e pajtuar në Fushë Krujë për të kryer vrasjen. Në biseda përmenden si pseudonime, por emrat e vërtetë ende nuk dihen. Por Noga dhe Suçi i dinë, madje i kishin vëzhguar edhe në "punë" të mëparshme që kishin kryer. 

“…Fratelo nuk e di tani sa e vërtet është por tani një informacion unë e kam. Unë jam i bind për vete, se ai personi që ma dha është shumë i afërt me Fushë-Krujsit edhe unë ngaqë po kërkoj grupe për vete më tha, i thash o vlla bëjmë ndonjë punë, më tha mua e kam shumë mirë me ata tha por kam frik se po ti them tha për atë tëndin do na e dekonspirojnë, se ai i joti rri me Indritin edhe tha këta çunat kanë bërë këto dy porosit e fundit i kanë bërë për Indritin, atë në “Kodër Kamëz” dhe atë te “Astiri” e paskan bërë këta të Fushë-Krujës vlla e kupton…".

Dy vrasjet që përmenden mësipër janë ato të Can Karriqit dhe Erigers Mihasi, të dy personazhe të njohur për botën e krimit, të përfolur për miqësinë e tyre me tashmë të zhdukurin, Ervis Martinaj. Por si Noga dhe Suçi kujdesen që të mos i përmendin emrat e atyre që i cilësojnë si "fushëkrujsit". 

Megjithatë puna vazhdon mes tyre për të planifikuar një atentat për hasmit. Noga, kishte marrë informacion të saktë se kundërshtari i tij qëndronte në Tiranë, dhe se pikërisht kishte konsumuar dy herë kafe tek bar “Focus”. Një tjetër opsion është që t'i ngrenë pritë Erjon Hasabelliut, pikërisht në hyrje të shtëpisë së tij në Fier. Problem kanë faktin që nuk e kanë një informator të brendshëm. Përmendin disa nofka si "Barba/Mjekra"; "Tato", por sërish nuk përmendin emra. 

Suçi: …Byrazer e shikon aty ku është “Tv-Kombi”, sa kalon urrën e Sheqit, po ta hapësh hartën e Fierit në google e shikon aty, e kupton dhe tani jo tek e verdha e dytë, aty e ka shtëpinë ai. Në fund të rrugës janë shinat e trenit e kupton. Mund ti zesh pozicionin dhe nga shinat e trenit atij, i gjuan tek shtëpia atij, sa bën për të hyrë. Po puna është se kush do të japë informacion, që ai po vjen për shpi, e kupton se s’kemi njeri të brendshëm.

Noga: Jo vlla jo, srrin te Astiri fare ata…le ça Astiri mund të kenë vajtur tek ndonjë lokal andej, po vëllai i vetë kur ka pas ndenjur?Nuk kanë ndenjur ndonjerë në Tiranë ata vëlla,e kupton. Tani rrin tek një Fokus, ku mbaron rruga e “Don Boskos” që mer për në Laprakë aty, tek ajo kthesa është bërë një lokal i ri. Përballë ka një parkim është super vend, por nuk e dimë kur vete…Aty është super vend o vëlla, po se dimë tani e kupton. Nuk kemi një gjë të sakt akoma, që ta dimë o vëlla e ke fiks këtu dhe kaq…Aty më thanë se e kishin parë dy herë. Sepse djali i tezes, e ka shtëpinë pas tyre, me sa duke tai qëndron në Tiranë, në shtëpinë e tij dhe del për të pirë kafe aty.…Nuk është objektiv i vështirë burrazer. E kupton se atë po e pe në rrugë, trak i vetë në anësore, bërrrr një ashtu dhe iku mbaroi. Puna është si do dalim në përballje, e kupton…?

Suçi: …Po atë mendoj o vlla, se tani skanë çfarë bëjnë në Gusht në Tiranë. Në Tiranë spo del më ai. Në Fier e kishin pa e kupton, nuk e di vëlla e kupton të shofim…

Të dy, zbulojnë se Hasabelliu gjatë periudhës së Gushtit ka shkuar në Sarandë për pushimet e verës dhe se duhet ta kapnin aty.

“…do folur pak me Armandon se andej nga Saranda rri barba, mos e mer vesh barba, ku rri ku do vej. Ai mos vete në Sarandë ndonjë ditë, e kupton edhe i rrjedh informacioni, që ka ardhur filani në filan vend…”

Por sërish Kasandër Noga shfaq skepticizëm tek një person që e thërrasin “Barba”, duke e porositur Kevin Suçin që të ketë kujdes nga ai. 

Në një mënyrë apo në një tjetër plani u vu në aksion për të goditur në Tiranë. Pas kryerjes së goditjes me armë në ambientet e “Bar Fokus” në Tiranë, Kasandër Noga rezulton të ketë filmuar veten me telefon duke parë ngjarjen live, teksa raportohej në një televizion shqiptar, në pritje për të mësuar emrin e viktimës. 

“…Shoku si kalove, ja në shpi jam vlla po shof këtë, ça bën ti mirë je, se kam merak për ty vlla e kupton, edhe po shof ca ngjarje këtu po nuk po jep emra…”.

Por kjo ngjarje i doli huq, personi që donin, nuk e vranë dot. 

“…Burrazer se tani u kujtova, do pas kujdes tashi tek Barba, se mu kujtua që Barba ka muhabet me këta ngaqë është bërë me Burakun dhe me Taton, dhe ky ka ndenjtur me ata…”.

Por në pamundësi për ta vrarë Hasabelliun për shkak të ngatërrimit të objektivit në Don Bosko, rezulton se 6 muaj më pas, në datën 11 qershor 2022, Kasandër Noga në cilësinë e porositësit, Kevin Suçi në cilësinë e gjuajtësit, kanë qëlluar në Bruksel Erjon Hasabelliun, por pa mundur ta vrasin. Për këtë ngjarje në 31 korrik 2023, gjykata e Brukselit, ka dënuar me 15 vite burgim në mungesë Kevin Suçin dhe 15 vite burgim Kasandër Nogën./ZËRI

Poll

MOS HUMB