
GJIROKASTËR- Të gjendur përballë neglizhimit të kërkesave të tyre prej vitesh rreth 100 blegtorë kanë bllokuar rrugën nacionale Kardhiq-Delvinë. Shkak i protestës është ulja e çmimit të qumështit, ndërsa sipas tyre fabrikat e përpunimit po operojnë në formë monopoli. Fermerët pritet të takohen me ministren e Bujqësisë, Anila Denaj, për t’i prezantuar katër pikat kryesore të protestës.
'Ne jemi sërish në protestën e radhës. Kemi katër pika të panegociueshme për Ministrinë e Bujqësisë: rritjen e çmimit të shitjes së qumështit, dyfishimin e subvencioneve, sistemimin e vlerave malore dhe mundësimin e kontratave 15 vjeçare për kullotat. Është shumë e vështirë të mbajmë bagëti, jemi në humbje, jemi drejt falimentimit. Kullotat janë pa pastruar. Nëse nuk na japin zgjidhje ne do të largohemi nga Shqipëria fare. Policia na ka shoqëruar dhe ndjekur penalisht për bllokim rruge ku fare mirë policia ishte aty dhe nuk u bllokua rruga. Pse duhet që të ndiqemi penalisht për të drejtat tona. Na kanë kërcënuar dhe shumë fermerë janë kërcënuar në telefona me heqjen nga puna të familjarëve të tyre dhe sot ata nuk kanë ardhur,"-tha një nga blegtorët.
Fermerët njoftuan se takimi me ministren e Bujqësisë, Anila Denaj do të bëhet vetëm në prezencën e medias.
"Këtu nuk ka administratë. Administrata rri në zyra, të bëjë punën në zyra. S’ka punë administrata. Ku ka qenë administrata që të kujtohet për ne sot. Ku kanë qenë. Jemi të pranishëm këtu sot, madje ka edhe më shumë. Takim pa mediat e pranishme nuk ka, ja themi që tani ta dëgjojë sepse në Tepelenë është”- përfundoi blegtori.
Është hera e tretë që fermerët protestojnë për këtë problem./ZËRI