Aktualitet

Blegtorët në jug bllokojnë rrugët: Po falimentojmë, na shkatërroi çmimi i grumbullimit

Blegtorët thanë se situata po kërcënon mbijetesën e sektorit dhe të industrisë ushqimore në vendin tonë.

D.XH

 

 

Blegtorët në jug bllokojnë rrugët: Po falimentojmë, na
Protesta e blegtoreve

GJIROKASTËR – Dhjetëra blegtorë të rretheve të jugut kanë bllokuar sërish rrugën nacionale që lidh Kardhiqin me Delvinën. Ata kanë protestuar në hyrje të aksit nacional, tek Ura e Kardhiqit.

Protestuesit kanë përsëritur kërkesat e tyre, duke u shprehur se sektori ka problematika të shumta, që lidhen me çmimet e produkteve blegtorale, subvencionet që nuk mjaftojnë, kufizimi i kullotave dhe kërkesat që kanë të bëjnë me kontratat e shitjes së mishit.

“Më kanë detyruar të hap katër numra nipti, pasi nuk mbështesin më shumë se 300 dhen. Mua të më subvencionojnë për 1000 krerë që kam. Unë i kam këputur dhentë që në dhjetor dhe akoma s’ma kanë dhënë çmimin baxhot. Çdo ditë më thonë, sa ta marrin të gjithë. Por ata shesin djathë përditë dhe kanë çmim për shitjen. Vetëm ne nuk kemi, se jemi pa zot. S’kemi kullota, nuk kemi asnjë lloj kushti. Fëmijët kanë mbaruar shkollat e larta dhe i mbajmë me blegtori për të qytetëruar vendin, por këtu luhet një lojë, me qëllim që të zhduket blegtoria e vendit e të mos ngelet këmbë blegtori”, tha për mediat një protestues.

Protestat janë nxitur prej uljes të çmimit të qumështit të deles nga 160 lekë në 120 lekë për litër. Kjo ulje në çmim ka shkaktuar një dëm të madh financiar për blegtorët. Këta të fundit shprehen se situata ka çuar në reduktim të tufave të bagëtive dhe në braktisje të sektorit. Demonstruesit thanë se protestat do të vazhdojnë, do përshkallëzohen e se mund të protestojnë edhe në Tiranë. Blegtorët theksuan se do protestojnë, derisa të marrin zgjidhje.

Blegtorët shtuan se është duke u krijuar një monopol i fabrikave përpunuese, që po ndikojnë çmimin dhe kushtet e bashkëpunimit. Ata thanë se situata po kërcënon mbijetesën e sektorit dhe të industrisë ushqimore në vendin tonë. Ata i kanë kërkuar Ministrisë së Bujqësisë, të ndërmjetësojë, me qëllim që të vendosen balanca të drejta në treg, të dyfishohen subvencionet dhe të rritet pragu i numrit të krerëve për mbështetje./ZËRI/

Poll

MOS HUMB