
TIRANË- Kuvendi i Shqipërisë ka hapur një tender për blerjen e kamerave të reja për ambientet e tij. Sipas disa dokumenteve të siguruara nga Report TV, për këtë blerje është përdorur procedura e tenderave të klasifikuara, ku mbahen sekrete të dhënat. Sipas tenderit, kamerat do të kushtojnë 140 mijë euro.
Parlamenti ka thënë se tenderat e kamerave nuk mund t’i fitojë kushdo dhe ka kërkesa specifike që iu bëhen kompanive që do të përzgjidhen fituese, pasi do të kenë në duar pamjet e parlamentit dhe aktivitetet që do të zhvillohen.
Sipas parlamentit, kompania duhet “të jetë e pajisur me certifikatë sigurie të vlefshme të nivelit konfidencial ose më lart”.
“Gjatë veprimtarisë së tij, Kuvendi i Shqipërisë prodhon, administron, qarkullon informacion të klasifikuar. Kuvendi ka Zona të Informacionit të Klasifikuar, e cila është ngritur dhe funksionon sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi. Kuvendi i Shqipërisë ka edhe personel të pajisur me Certifikatë Sigurie Personale të përshtatshme për realizimin e procedurave të prokurimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, të cilat përmbajnë informacion të klasifikuar”, thuhet në përgjigjen e Kuvendit.
Por për çfarë do të shërbejnë këto kamera sigurie në Kuvendin e Shqipërisë saktësisht dhe pse ka lindur nevoja e këtij investimi?
“Ka nevojë të mbulohen me vëzhgim/monitorim edhe disa zona të cilat nuk mbulohen aktualisht. Po ashtu, kemi patur raste kur autoritetet nuk kanë arritur të marrin filmime për zbardhje ngjarjesh për shkak të mosmbulimit me monitorim nga kamerat aktuale. Janë kërkuar një numër shtesë pajisjesh dhe pikash vëzhgimi/monitorimi nga ana e Gardës se Republikës me qellim përmirësimin e sigurisë”, sqaron Kuvendi. /ZËRI