Aktualitet

Burrë e grua pjesë e mashtrimit/ Tentuan t’i merrnin biznesmenit në Himarë 8 mijë euro, 3 në pranga. E kontaktuan në ‘signal’

3 personat kanë kontaktuar administratorin e subjektit tregtar nëpërmjet një numri telefoni të regjistruar si numër kontakti i një zyrtari, në aplikacionin “Signal”, duke rritur kështu besueshmërinë e kërkesave të tyre për të përfituar shumën prej 8 000 euro

E.K
Burrë e grua pjesë e mashtrimit/ Tentuan t’i merrnin biznesmenit
pamjet e arrestimit

TIRANË- Një çift bashkëshortësh dhe një vajzë janë arrestuar nga Policia e Vlorës pasi mashtruan një biznesmen në Himarë duke i kërkuar një shumë parash. Ata e kontaktuan biznesmenin përmes Signal, duke iu prezantuar si zyrtarë shtetërorë, ku dhe i kërkuan një shumë prej 8 mijë eurosh.

NJOFTIMI I POLICISË: 

Finalizohet operacioni policor i koduar “Notification”, për goditjen e një rasti të mashtrimit të operatorëve ekonomikë. Tentuan të përfitonin 8 000 euro, nga një operator ekonomik në Himarë, me anë të mashtrimit, identifikohen dhe arrestohen 3 shtetas.    

Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Himarë, pas denoncimit nga administratori i një subjekti tregtar në Himarë, se i kishin kërkuar një shumë parash, gjatë komunikimeve në aplikacionin “Signal”, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Notification”, për zbardhjen e rastit dhe identifikimin e autorëve.       

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në kuadër të këtij operacioni, u identifikuan dhe u arrestuan shtetasit: S. D., 30 vjeçe dhe K. D.(K.), 32 vjeç (bashkëshortë), dhe D. V., 27 vjeçe, të tre banues në Vlorë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas kanë kontaktuar administratorin e subjektit tregtar nëpërmjet një numri telefoni të regjistruar si numër kontakti i një zyrtari, në aplikacionin “Signal”, duke rritur kështu besueshmërinë e kërkesave të tyre për të përfituar shumën prej 8 000 euro.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 automjet dhe 4 celularë. 

Në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës, vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.     

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon për qytetarët, që të raportojnë menjëherë për çdo rast të mashtrimit apo të përpjekjes për mashtrim. Bashkëpunimi me qytetarët është i rëndësishëm për të mbrojtur interesat e komunitetit dhe për të parandaluar raste të tilla.

Poll

MOS HUMB