
TIRANË- Kryepeshkopi Anastas Janullatos do të nderohet edhe në Tiranë, pas ceremonisë së mbajtur në Athinë. Ai ndërroi jetë në spital, një ditë më parë në moshën 95-vjeçare pas një periudhe të vështirë shëndetësore.
Sot janë zhvilluar homazhet në Athinë, ndërsa në Shqipëri do të nisin të martën, më 28 janar në orën 16:00.
Top Channel shkruan se prezent do të jetë edhe kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, i cili do të mbërrijë të enjten në Shqipëri, për të marrë pjesë vetëm në ceremoninë e varrimit të kryepeshkopit Anastas Janullatos në Tiranë.
Shërbesa e varrimit do të kryhet ditën e enjte, datë 30 janar, ora 11:00, pas Liturgjisë Hyjnore.
Janullatos lindi më 4 nëntor të vitit 1929, në Pire të Greqisë dhe prej vitit 1992 ai ishte Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Ndërsa më 22 dhjetor të vitit 2017, atij iu dha shtetësia shqiptare nga ish-presidenti Ilir Meta. Janullatos njihet si një person i lidhur me rilindjen e besimit Orthodoks, pasi praktikimi i fesë ishte i ndaluar me ligj prej viteve 1967-1991./ZËRI