
TIRANË- Është mbajtur këtë të mëkurë në Gjykatën e Posaçme, seanca e radhës për çështjen Gërdeci, ku ishin të pranishëm 5 ekspertët që kanë përpiluar akt ekspertimin ekonomiko-financiar të ngjarjes.
Ekspertët do t'i përgjigjen pyetjeve të palëve, në një kohë që në seancë avokatët e Mediut kërkuan kryerjen e një ekspertimi të ri me 3 ekspertë të pavarur. Gjykata vendosi që të shtyjë me dy javë seancën në mënyrë që t’iu japë kohë ekspertëve në leximin dhe hartimin e raportit, si dhe në kthimin e përgjigjeve për palët.
Avokatët e Fatmir Mediut, thanë se njëri nga ekspertët që kishte kryer akt-ekspertimin ekonomiko financiar, kishte vepruar jo si ekspert, por si nëpunës publik i atashuar pranë Prokurorisë së Përgjithshme.
Vetë Mediu përsëriti kërkesën që të bëhet një ekspertizë e re, duke u shprehur:
“Unë ua kam thënë që nuk jam njohur me këtë akt. Kjo situatë tregon tendencën për të na çuar në absurditetet. Edhe zotërinjtë thonë që nuk kanë qenë ekspert të liçencuar. Shoh një tërheqje të prokurorisë, duke insistuar në mos thellim të veprimeve duke marrë për bazë një akt ekspertizë që sështë bërë nga ekspertë. Kërkojmë të bëhet akt ekspertizë e re. Kam kërkuar aktet në prokurori e gjykatë dhe nuk i kam marrë. Nëse duam një proces që s’është thjesht vullnet i njëanshëm i prokurorisë le të bëjmë një debat normal gjyqësor”.
DEBATET NË SALLËN E GJYQIT
Avokati i Mediut, Henrik Ligori: Në seancën e datës 15 Maj ne kemi kërkuar se është e nevojshme që të kryhet një akt-ekspertimi i ri në lidhje me këtë çështje. Ekspertët e thirrur, në bazë të deklarimeve që thanë herën e kaluar ngrenë dyshime se kanë qenë shtesë e grupit të hetimit për shkak të pozicioneve që kanë mbajtur në kohën kur kanë kryer akt-ekspertimin teknik. Në kërkojmë që të bëhet një akt-ekspertimi me 3 ekspertë të pavarur.
Prokurori Klodian Braho: Kjo është një kërkesë e përsëritur nga mbrojtja dhe po ashtu është në çmim të gjykatës për të marrë një vendim. Sa i takon akt-ekspertimit ata kanë pasur kohën e nevojshme për ta shqyrtuar.
Fatmir Mediu: Zonja gjyqtare përballë jush janë dy palë. Barazia në këtë proces është një e drejtë e ligjshme. Unë mendoj se gjithë kjo situatë tregon një lloj tendence për të vazhduar në absurditet. Këta zotërinjtë e tregojnë vetë që nuk janë ekspertë dhe se kanë dhënë një mendim pranë institucioneve. Ky proces është krejt formal, pa substancë për të shkuar tek e vërteta. Ne kërkojmë të bëhet një akt-ekspertiim i ri për të parë nëse ka pasur dëm ekonomik apo jo. Ky akt-ekspertimi ka nevojë për një analizë më të thelluar, se pas vitit 2008 ka pasur demontim. Nëse duam proces gjyqësor, që nuk është një debat i anshëm i prokurorisë, le ta kthejmë këtë në proces gjyqësor dhe të mos i zhvillojmë këto seanca sa për të kaluar radhën.
Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim me zinxhirin komandues ushtarak. Ish-ministri u rikthye në Gjykatë nga denoncimi i një familjeje nga Gërdeci, fshati i tragjedisë së 15 marsit ku nga shpërthimi humbën jetë 26 persona e u plagosën 300 të tjerë./ZËRI