
DIBËR- Moti i keq ka sjellë dhe problematika të tjera në vendin tonë. Siç raportohet, e gjithë Dibra ka mbetur pa energji elektrike. Bëhet fjalë për territorin e Bashkisë Dibër dhe për fshatrat përreth. Nga ana tjetër, rreth 300 persona kanë mbetur të bllokuar si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës.
ARRSH-ja njoftoi se qarkullimi i mjeteve do të bëhet nga aksi i vjetër rrugor Klos-Burrel-Ulëz. Trashësia e borës në Dibër është mbi 20 centimetër. Në qarkun e Kukësit, 30 cm. Disa njësi administrative kanë mbetur pa energji elektrike. Akset më problematike që këshillohet të kalohen me zinxhirë janë: Dushaj- Sheshi i Trageteve – Lekbibaj; Qafë Thore; Ura e Zapotit – Shishtavec; Vau i Dejës – Pukë – Kukës; Fushë Arrëz - Qafë Mali – Kukës; Bajram Curri – Valbonë; Ura Bujan.