Aktualitet

Dëborë në pranverë! Zbardhet Kukësi, Dibra e Korça, si pritet moti për këtë javë

Dëbora ka zbardhur disa qarqe të vendit, në veri dhe jo vetëm.

k.m.
Dëborë në pranverë! Zbardhet Kukësi, Dibra e
Foto ilustruese

TIRANË- Edhe pse jemi zyrtarisht në pranverë, dimri duket se është rikthyer në vendin tonë. Dëbora ka zbardhur disa qarqe të vendit, në veri dhe jo vetëm. Qarku i Kukësit, Dibrës, Korçës, Lezhës, një ditë më parë u përfshinë nga reshjet e dëborës. Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, reshjet e dëborës kanë vijuar gjatë gjithë natës në Veri dhe në Juglindje të vendit, por nuk kanë shkaktuar probleme meqarkullimin rrugor.

Reshjet e dëborës kanë qenë më të dendura në Valbonë, Bogë-Theth, Pukë-Fushë Arrëz-Kalimash, Qafë Mali-Fierzë, Klos-Peshkopi, Kukës-Ura Zapodit, Kukës-Bushtricë, në Qafë-Thanë, Boboshticë-Dardhë dhe në Voskopojë. Dëbora arriti në 20-30 cm, në Kukës, Pukë, Tropojë, Has, Mirditë, Dibër, Korçë, Pogradec ndërsa zbriti deri në 500 metra mbi nivelin e detit uli ndjeshëm temperaturat edhe në pjesën tjetër të vendit.

Ndërsa, temperaturat kanë shkuar deri në -9 °C në zonat malore.

Por kushtet atmosferike janë përmirësuar ndjeshëm nga dje. Rrugët janë të kalueshme, por disa fshatra në Kukës, Tropojë e Has nuk kanë energji elektrike për shkak të erërave të forta. Probleme me energjinë elektrike ka edhe në Njësinë Administrative Udënisht e Buçimas, Bashkia Pogradec, fshati Orman-Çiflig, fshati Dardhë si dhe fshatrat Dolenac, Mjaltas, Besmirë. Pa energji elektrike janë edhe 12 fshatrat e njësisë administrative Proptisht.

Meteorologia Anira Gjoni nga IGJEUM tha se edhe gjatë kësaj jave në territorin e vendit do të ketë rënie të temperaturave, por ajo sqaron se nuk do të ketë reshje dëbore apo shiu në këto ditë të para të javës. Sipas saj, të premten do të rikthehen reshjet e shiut.

“Nuk presim më të ketë reshje dëbore, pasi janë ezauruar tashmë. Temperaturat e ulëta do të na shoqërojnë gjatë gjithë javës, e premtja do bëjë kthesën. Nga dita e martë, në zonat e ulëta temperaturat minimale do jenë 2 gradë celcius, ndërsa në zonat malore -5 gradë celcius. Do ketë rritje prej dy gradësh, të mërkurën dhe të enjten. E premtja do të ketë përmirësim. Kjo javë pritej, e kishim parashikuar që do të ishte e ftohtë. Nuk do të ketë reshje dëbore ditën e sotme dhe në vazhdim. Ditën e sotme pritet të ketë reshje lokale të dobëta. Në bregdet nuk presim të kemi problematika për sa i përket kushteve të motit. Të premten presim reshje shiu, por jo me intensitet të shtuar,”- tha meteorologia.

Për ditën e hënë, moti në vend parashikohet të jetë i kthjellët, por me temperatura të ulëta, deri në -4 gradë celsius në veri të vendit./ZËRI

Poll

MOS HUMB