
TIRANË- Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike ka vënë në pranga një punonjëse të Agjencisë së Mbikëqyrjes policore dhe një gazetar. Gjithashtu në kërkim është shpallur shefi i sektorit në Drejtorinë e Përgjithshme të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Sipas bluve në pranga ka rënë R.O, 34 vjeçe, punonjëse në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore në Drejtorinë Rajonale Durrës dhe E.H, 35 vjeç, me profesion gazetar.
Në kërkim u shpall K.S, 39 vjeç, me detyrë shef sektori në Drejtorinë e Përgjithshme të AMP-së.
Gjatë hetimeve të kryera ka rezultuar se këta tre shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ndryshonin dhe fshinin të dhëna kompjuterike në formate teksti, pa të drejtë, për krijimin e të dhënave të rreme ndaj disa titullarëve të institucioneve të ndryshme, duke denigruar figurën e tyre, me qëllim paraqitjen dhe përdorimin e tyre si autentike, në një faqe interneti. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2 celularë.
Vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.