
ITALI-Nëna e Mark Antony Samson, 23-vjeçarit që vrau studenten shqiptare Ilaria Sula, është nën hetim për bashkëpunim në fshehjen e kufomës. Sipas asaj që mëson LaPresse, nëna e Samsonit, Nosr Manlapaz pasi ka dëgjuar britmat e 22-vjeçares në dhomën e gjumit, ka hyrë brenda dhe e ka parë të vdekur.
Ajo më pas dyshohet se kandihmuar djalin e saj të pastronte skenën e krimit që ndodhi në apartamentin në via Homs, në lagjen afrikane. Nesër në orën 14:00 nëna e Samsonit do të merret në pyetje në zyrat e Seksionit të Vrasjeve të Skuadrës Fluturuese të Shtabit të Policisë së Romës. Qëllimi i hetimit është të sqarojë saktësisht çfarë ndodhi në orët e pas krimit dhe kush tjetër mund të ketë qenë i përfshirë në fshehjen e provave.
Ndërkohë siç raportojnë mediat italiane, pak ditë pasi i riu ka vrarë Ilarian dhe e hodhi atë në një greminë, ka çuar mjetin e tij në një servis, si dhe ka kërkuar pastrim të makinës. Punonjës të servisit ku Mark Samson çonte mjetin e tij për riparim, e kanë përshkruar atë si një djalë të sjellshëm dhe se nuk kishin menduar kurrë që ai mund të bënte diçka të tillë. Një prej tyre ka treguar se ai ishte klient i tyre prej rreth një viti dhe se dy ditë pas zhdukjes së Ilarias, ai kishte çuar makinën për riparimin e parakolpit dhe kishte kërkuar dhe që mjeti të pastrohet.
“Ishte klienti ynë për rreth një vit, i kishim riparuar makinën disa herë dhe asnjëherë nuk kishte probleme. Përkundrazi, ishte një nga më të duruarit. Një herë ka pritur më shumë se një orë në garazh për ta marrë makinën, pa u ankuar. E kam thirrur më 28 mars për t’i thënë të më sillte makinën të hënën. Ai kishte pasur një aksident më 21 dhjetor dhe duhej të riparonte parakolpin dhe të zëvendësonte diçka që ishte thyer. Nuk ishte faji i tij. Ata e kishin përplasur, siç tregon edhe kamera e makinës,” ka treguar sekretarja që merret me të gjitha procedurat në servis.
Prej një jave e zhdukur, 22-vjeçarja Ilaria Sula u gjet e vrarë. Trupi i pajetë u gjet në një valixhe të hedhur në humnerë në një zonë të pyllëzuar në Poli. Shqiptarja u vra nga ish-i dashuri i saj filipinas, Mark Samson, i cili ndodhet në qeli. Hetuesit arritën të zbulonin se në ditët pas zhdukjes së vajzës, 23-vjeçari filipinas kishte vazhduar të përdorte telefonin e saj dhe bënte postime nga profilet e Ilarias në mediat sociale për të fshirë dyshimet./ZËRI