
TIRANË- Detaje të reja janë bërë me dije në lidhje me operacionin “Metamorfoza 3”, të nisur mëngjesin e sotëm nga Prokuroria e Posaçme, SPAK në bashkëpunim me forcat RENEA dhe ato Speciale, për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë dhe zbardhjen e çështjeve të rënda kriminale që janë në hetim. Raportohet se ndaj Viktor Ymerit, i njohur si Tori i Xhihanes, dhe Santiljano Basho, vëllai i Tesi Bashos, janë shtuar akuzat. Ndaj tyre janë shtuar akuzat për atentate. Sipas gazetares Klodiana Lala, akuzat janë shtuar dhe ndaj Fatmir Hysenit.
Santiljano Basho, është vëllai i Tesi Bashos, i njohur ndryshe dhe si ‘i forti i Selenicës”, i arrestuar më 16 tetor 2019. Tesi Basho i identifikuar si një prej personave më të rrezikshëm në Selenicë, ka dhe një dënim me burg përjetë në shtetin italian. Basho iu ka marrë jetën dy vajzave që ushtronin prostitucion në qytetin e Torinos, një prej të cilëve e shfrytëzonte edhe vetë. Ai ishte arrestuar në vitin 2016 në Itali, por vetëm pak kohë më vonë duke shfrytëzuar transferimit e tij pas tërmetit që "shkundi" Italinë, së bashku me dy shok të tjerë qelia u arratis nga dritarja e burgut, me çarçaf dhe shkopa fshese. Ai ra në prangat e policisë më 16 tetor të vitit 2019 po në Vlorë, ndërsa asokohe me vete ju gjet dhe një arsenal armësh.
Operacioni i SPAK
Prej orëve të para të mëngjesit, me urdhër të SPAK, policia dhe RENEA kanë kryer kontrolle në një sërë banesash, për të bërë të mundur kapjen e disa personazheve të njohur të botës së krimit, të cilët dyshohen për të paktën 6 vepra të rënda penale të ndodhura në vendin tonë. Burime bëjnë me dije për ZËRIN se nga 43 urdhër-arreste të lëshuara në total, janë ekzekutuar vetëm 9 prej tyre, ndërsa shumë prej personazheve më të lakuar të krimit nuk janë gjetur në banesat e tyre.
Kontrolli është ndërmarrë në disa qytete, ku në Tiranë, policia është përqëndruar në banesën e vëllezërve Duka, të cilët dyshohen si autorë të vrasjes s ëish-efektivit të Polisë Santiago Malko, si dhe njihen si rivalë të Ervis Martinajt. Edhe në banesën e këtij të fundit SPAK ka ushtruar kontrolle, edhe pse bosi i lojërave të fatit rezulton i zhdukur prej afro dy vitesh.
SPAK ka lëshuar urdhër-arrest dhe për disa personazhe të njohur të botës së krimit në Durrës, Endrit Doklen dhe Plarent Dervishajn, të cilët prej disa vitesh kanë gjetur strehim në Dubai. Po ashtu urdhërarreste janë lëshuar dhe për dy vëllezërit Abdylaj në Shijak, të cilët dhe më herët kanë pasur llogari të hapura me drejtësinë, në kuadër të dosjes 339. Kontrollet janë shtrirë dhe në zoën e Niklës, ku SPAK ka kërkuar arrestimin e Valter dhe Durim Bamit, ky i fundit rezulton se nuk ka qenë në banesë në momentin e mbërritjes së forcave RENEA.
Në Vlorë kërkimet janë zhvilluar në banesën e Fatmir Hysenit, i cili është marrë i pandehur në mungesë për vrasjen e Santiago Malkos, dhe gjithashtu ka qënë një prej emrave që janë përmendur si autorë të mundshëm të atentatit ku u vra Brilant Martinaj. Në mesin e emrave VIP nga operacioni i sotëm është dhe ai i ish-deputetit të Partisë Socialiste për qarkun e Lezhës, Arben Ndoka. Deri tani dihet se socialisti ka qenë i përfshirë në një skemë të tjetërsimit të tokave në Lezhë, ndërsa më herët pasuria e tij është vënë në sekuestro.
EMRAT e personave që përmenden deri tani në këtë operacion
Ervis Martinaj
Endrit Dokle
Plarent Dervishaj
Durim Bami
Valter Bami
Altin dhe Astrit Avdylaj
Fatmir Hyseni
Marklen Haka
Arben Ndoka
Leonard dhe Erlis Duka
Ervis Doçi alias “Visi i Pojës”
Albert Zaja/ZËRI