
BRITANI E MADHE- Një terrorist i dënuar se planifikoi të shpërthente një bombë në një stadiumin e futbollit "Roza Haxhiu", po apelon dëbimin e tij nga frika se do të vritet nga gangsterët rivalë në vendlindjen e tij, Shqipëri. Kështu e nis artikullin për Maksim Çelën, media britanike "Dailymail". 59-vjeçari ecën i lirë në rrugët e Britanisë së Madhe pasi 23 vjet më parë kreu vrasjen e një efektivi polici dhe thuri planin për të shpërthyer një bombë në një stadium futbolli me 12,000 vende në vitin 2000.
Por vetë ai pretendon se nuk mund të kthehet në Shqipëri sepse bandat 'të tmerrshme' do të komplotojnë hakmarrjen kundër tij. Edhe Çela pretendon se ai ishte dënuar gabimisht dhe se e gjitha ka qenë çështje politike. Por avokatët e Home Office thonë se 59-vjeçari është një 'terrorist i dhunshëm' i cili duhet të deportohet. Avokatët gjithashtu besojnë se Çela e shpiku historinë e tij pasi mësoi nuk ishte në gjendje të kërkonte azil.

Çela, i cili ka lindur në qytetin shqiptar të Lushnjes, argumenton se ai ka qenë një biznesmen dhe se ka drejtuar një biznes shitje makinash në Gjermani, duke punuar gjithashtu në një klinikë dentare dhe në një spital. Por në Shqipëri, ai fillimisht u burgos pasi u zbulua komploti i tij për të shpërthyer një bombë në një stadium. Për planin, ai bëri 5 vite burg. Më pas, Çela u dënua me 25 vjet burg në shtator 2006 për 'pjesëmarrje në organizatë kriminale', për vrasjen e një oficeri policie. Ai u lirua në dhjetor 2022, pasi kishte kryer më shumë se 23 vjet nga dënimi i tij 25-vjeçar.

Në dhjetor 2022, ai u largua nga Shqipëria për në Spanjë, udhëtoi për në Itali dhe më pas fluturoi për në Mbretërinë e Bashkuar. Me një pasaportë false ai mbërriti në aeroportin e "Heathrow" në janar 2023. Kur u intervistua fillimisht nga Home Office, ai tha se në Shqipëri po kërkohej nga 3 banda të ndryshme që kërkonin atë dhe familjen e tij pasi e konsideronin si anëtar të 'bandës së Lushnjes'. Në një letër drejtuar Home Office ai u shpreh se ishte gati të përmendte me emra se cilët ishin rivalët që e kërcënonin me vdekje nëse do të deportohej në Shqipëri. Por që atëherë ai e ka ndryshuar disa herë historinë e tij. Tani pretendon se nuk ka qenë kurrë anëtar i bandës së Aldo Bares, por shton se e gjitha ka një sajesë.
"Ishte një sulm i motivuar politikisht ndaj meje. Unë isha biznesmen,"-tha Çela. Por po ashtu, shqiptari i tha gjykatës se kishte 4 tentativa për ta vrarë gjatë kohës që ishte në burg. Home Office thotë se ai e ka ekzagjeruar kërcënimin nga bandat rivale duke shtuar se mund të merret në mbrojtje nga autoritetet shqiptare ose të zhvendoset në një zonë tjetër të vendit nëse deportohet.
Tani një gjykatë do të marrë një vendim nëse Çela mund të qëndrojë në Angli, ose jo./ZËRI