
TIRANË- Gjykata e Posaçme ka shtyrë për në 6 mars seancën ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për çështjen Gërdeci. Shkak iu shtyrjes së seancës së sotme ka qenë mungesë e kryetares së Gjykatës Irena Gjoka, e cila ka qenë në një aktivitet në Gjykatën Kushtetuese. Dështimi i seancës pamundësoi pyetjen e 4 dëshmitarëve të paraqitur, mes të cilëve, Dritan Minxolli, ish drejtor i fabrikës së Gërdecit dhe ish-ushtarakut Sokol Ngjeçi.
Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, me 26 humbje jete e qindra të plagosur.
Sipas kërkuesve dhe SPAK, pas ndryshimeve ligjore të vitit 2012 dhe 2017, deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij dhe për rrjedhojë nuk ekziston me asnjë pengesë për hetimin e Mediut.
Vetë Mediu ka kërkuar marrjen në pyetje të një liste të gjatë dëshmitarësh, edhe pse fillimisht e ka cilësuar të paligjshëm hapjen e hetimeve.
Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim me zinxhirin komandues ushtarak. Ish-ministri u rikthye në Gjykatë nga denoncimi i një familjeje nga Gërdeci, fshati i tragjedisë së 15 marsit ku nga shpërthimi humbën jetë 26 persona e u plagosën 300 të tjerë./ZËRI