
KORÇË- Bledar Trëndafili është lënë në burg pa afat nga Gjykata e Korçës, pasi 45-vjeçari dogji me benzinë bashkëshorten e tij, Melisa. I riu ka shpërthyer në lot në seancën e sotme gjyqësore, ku edhe ka pranuar aktin e rëndë ndaj të shoqes. Edhe pse u shfaq i penduar, ai shtoi se të shoqen e kishte lënduar pasi ishte në gjendje të rëndë psikologjike, sepse e reja e kishte tradhëtuar.
"Nuk doja ta bëja por arrita e bëra. Isha në gjendje të rënduar psikologjike, e di që kam bërë gabim të madh. Jam penduar. Nuk më lejonte të takoja fëmijët, më tradhtonte dhe prandaj arrita deri atje. Më bëni çfarë të doni,”-tha ai në sallën e gjyqit.
45-vjeçari u arrestua dje pas më shumë se një muaji në arrati. Ai ishte fshehur në disa zona të thella të Korçës, por u kap pasi ishte kthyer në banesën kur dikur jetonte me bashkëshorten e tij, në lagjen 1 të Korçës. Për shkak se Bledari e kishte braktisur, Melisa kishte nisur një proces divorci ndaj tij. Kështu që ditën e ngjarjes, 45-vjeçari kishtë shkuar për ta ritakuar për të disatën herë bashkëshorten që ta bindte që të hiqte dorë nga procesi gjyqësor për zgjidhjen e martesës.
Por në momentin që ajo nuk pranoi, ai e leu me benzinë dhe i vuri flakën. Tashmë, mbi të rëndon akuza për vrasje me dashje për shkak të marrëdhënieve familjare./ZËRI