
TIRANË- Zëri.ai ka zbardhur detaje të tjera nga dosja e SPAK lidhur me çështjen e privatizimit të klubit "Partizani" nga Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha. Në dosjen e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shkruhet se Bashkia e Tiranës, e drejtuar prej korrikut 2011 deri në korrik 2015 nga shtetasi Lulzim Basha, e ka pajisur me leje zhvillimore për ndërtimin e 17 kullave. Të gjitha të ngritura pikërisht në zonën e kompleksit sportiv.
"Për këtë shkak ngrihen dyshime mbi ekzistencën e veprës penale të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm dhe korrupsionit. Sipas kallëzuesit, fakti që shtetasi Jamarbër Malltezi është lidhje e afërt e kryeministrit të kohës ka shkaktuart këtë lloj ecurie,"-shkruhet në dosje. Mirëpo është e paqartë se kush ka ndikuar tek kush. Ka qenë Berisha, ai që ka ndikuar tek Basha si kryebashkiak? Ky detaj nuk është i sqaruar më tej në dosje.
PJESË NGA DOSJA E SPAK:
Për një periudhë shumë të shkurtër, nga qershori 2008 kur është bërë raporti i vlerësimit të ekspertëve të objekteve të klubit të sportit Partizani dhe deri në dhjetor 2008, ka përfunduar procedura e njohjes dhe e kthimit fizik, vlerësimi financiar i objektit që i nënshtrohet parablerjes, dorëzimi nga organet e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Ekonomisë si dhe regjistrimi në regjistrat publike të kësaj sipërfaqe. Po kështu, Bashkia e Tiranës, e drejtuar prej korrikut 2011 deri në korrik 2015 nga shtetasi Lulzim Basha, e ka pajisur me leje zhvillimore për ndërtimin e 17 kullave, shoqërinë "Homeplan". Për këtë shkak ngrihen dyshime mbi ekzistencën e veprës penale të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm dhe korrupsionit. Sipas kallëzuesit, fakti që shtetasi Jamarbër Malltezi është lidhje e afërt e kryeministrit të kohës ka shkaktuart këtë lloj ecurie.
Jamarbër Malltezi u vu dje në pranga, ndërsa ndaj ish-kryeministrit Berisha është caktuar masa 'detyrim paraqitje' dhe ndalimi i daljes nga Shqipëria. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e hetoi Malltezin për pastrim parash, pas kallëzimit të bërë nga Taulant Balla. Balla, asokohe kreu i grupit parlamentar të PS, kallëzoi për shpërdorim detyre ish-kryeministrin Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe ish-ministri Arben Imami. Ata akuzohen në lidhje me privatizimin e rreth 10.000 m2 të ish-kompleksit sportiv “Partizani”, në qendër të Tiranës, truall i cili para vitit 2008 ishte në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes./Zëri.ai