VLORË-Pasditen e 7 qershorit u shënuar dy plagosje me armë zjarri në vend. Të shtëna me armë zjarri u raportuan rreth orës 17:30, në lagjen “Lugina”, Shijak pas një konflikti për motive të dobëta. I plagosur mbeti Bjondi Guri, ndërsa autori është identifikuar si Elton Beqiri.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 17:30, në lagjen Lugina, Shijak, dyshohet se, pas një konflikti për motive të dobëta ndërmjet shtetasve B. G. dhe E. B., ka mbetur i plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasi B. G.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë rrethuar zonën dhe vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit E. B., autorit të dyshuar të plagosjes.
Shtetasi B. G. është transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes
Një orë më vonë, të shtëna me armë zjarri u raportuan edhe në Vlorë te rrethrrotullimi i Çoles, në lagjen 24 Maji, ku i plagosur me një plumb në pjesën e kofshës mbeti 27-vjeçari Kevi Lazaj. Pas ngjarjes, autori Turi Aligjoni 55 vjeç, është larguar me shpejtësi nga vendngjarja. Policia dhe grupi hetimor po punojnë për kapjen e autorit dhe zbardhjen e plotë të këtij rasti.
Njoftimi i policisë:
Informacion paraprak-Rreth orës 18:30, në lagjen “24 Maji”, dyshohet se, pas një konflikti ndërmjet shtetasve T. A., 55 vjeç, dhe K. L., 27 vjeç, ka mbetur i plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasi K. L.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit T. A., autorit të dyshuar të plagosjes.
Shtetasi K. L. ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.