
DIBËR- Një qytetare ka apeluar për ndihmë nga Qafë Murriza ku ndodhet e bllokuar prej pesë orësh, Në një lidhje telefonike për News24, ajo tregon se ka kërkuar ndërhyrjen e autoriteteve, por nuk i kanë ardhur në ndihmë. Gruaja rrëfen se ndodhet bashkë me fëmijët në një lokal.
“Ndodhemi prej 5 orësh të bllokuar. Policia nuk është në vendngjarje, dhe furgoni që unë po udhëtoj bashkë me fëmijët është pa zinxhirë. Shteti nuk ka ndërhyrë fare. Duket sikur nuk ka asnjë interes. Nuk e di ku do e kalojmë natën, duhet të na informojë shteti. Po qëndrojmë të gjithë në një lokal,”- tregon ajo.
Në Shqipëri ka mbërritur zyrtarisht dimri. Trashësia e borës në Dibër është mbi 20 centimetër. Akset më problematike që këshillohet të kalohen me zinxhirë janë: Dushaj- Sheshi i Trageteve – Lekbibaj; Qafë Thore; Ura e Zapotit – Shishtavec; Vau i Dejës – Pukë – Kukës; Fushë Arrëz - Qafë Mali – Kukës; Bajram Curri – Valbonë; Ura Bujan.