
TIRANË- “Jam shumë e emocionuar, kjo është ditë shumë e rëndësishme për mua profesionalisht dhe personalisht,”-kaq tha Antoneta Sevdari që tashmë ka rifituar statusin e saj si prokurore. Kolegji i Posaçëm i Apelimit, i njëjti institucion që e shkarkoi, vendosi që ta kthente në detyrë 3 vite pasi e kishte shkarkuar me pa të drejtë. Prokurorja, Antoneta Sevdari, është shkarkaur nga KPA në datën 28 shkurt 2019 me aryestimin se kjo e fundit nuk justifikonte dot pasurinë. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i ka gjetur asaj probleme me pasurinë e bashkëshortit, pasi sipas prokurorës burri i saj kishte punuar në Arabinë Saudite dhe nuk e dokumentonte dot burimin e të ardhurave, pasi punëdhënësi kishte ndërruar jetë. Por shkarkimi nuk është pranuar kurrë nga hetuesja, e cila gjithashtu është ankimuar në Gjykatën e Strasburgut. Por para se t’i drejtohet Gjykatës Ndërkombëtare, Sevdari i ka dërgoi letra çdo ambasadori në Shqipëri por nuk mori asnjë përgjigje, derisa sytë i ktheu nga “Strasburgu”.
Si ndodhi shkarkimi?
Në vitin 2019, pasi mori dritën jeshile për të vijuar detyrën, KPA vendosi për shkarkimin e Sevdarit. Pavarësisht se kaloi shkallën e parë të vettingut dhe u zgjodh anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Sevdari nuk do mundi të ushtrojë më detyrën e saj. Vendimi u mor pas përballjes së saj me Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pasi Komisioneri Publik kërkoi rihapjen e hetimit për të me pretendimin se për të nuk ishte bërë hetim i thelluar në dy kritere.
Por pasuria e bashkëshortit, vulosi shkarkimin e saj! Prokurorja Antoneta Sevdari kishte një pasuri të deklaruar prej 4.4 milionë lekë në vitin 2003 – kur deklaroi për herë të parë në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Në fund të vitit 2017 pasuria familjare e saj kapi vlerën e 20.2 milionë lekëve, duke regjistruar një rritje të pasurisë bruto me 4.6 herë. Ajo kishte deklaruar të ardhura dhe detyrime të lidhura me aktivitetin privat të bashkëshortit, të cilat duhet të pasqyrohen në pasqyrat financiare të aktivitetit tregtar, të cilat nuk janë objekt deklarimi. Për të justifikuar pasurinë e të shoqit, ajo zbuloi se bashkëshorti ka punuar në Greqi nga viti 1997 deri në vitin 2000, ku veç pullave të sigurimit kanë depozituar edhe kërkesën për leje qëndrimi. Por shtoi se paratë nuk i ka marrë të deklaruara, siç veprohej me të gjithë emigrantët. Megjithatë arsyetimi i saj nuk i bindi kolegët e KPA-së.
Sevdari që mori fjalën në fund të seancës kundërshtoi qëndrimet e Komisioneres Publike dhe tha se ndjente keqardhje që po “trajtohej si statistikë dhe në kundërshtim me ligjin”.
“Ajo jo vetëm nuk merr parasysh vendimin e GJEDNJ-së, por në shkelje të ligjit, gënjen ku në konkluzione thotë se nuk u dokumentua punësimi i pretenduar i bashkëshortit në emigracion,”- tha Sevdari.
Pas shkarkimit, Sevdari nuk iu nda fushës së drejtësisë, duke ofruar shërbimet e saj si avokate. Një vit pas shkarkimit, ajo dha një intervistë për "ABCNeës" duke shprehur edhe njëherë indinjatën e saj për shkarkimin, duke përmendur Luan Dacin. Ish-prokurorja Antoneta Sevdari, e shkarkuar pikërisht nga një trupë ku ishte pjesë edhe Luan Daci, u shpreh se kishte nisur procedurat për të kundërshtuar vendimin në Gjykatën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. Madje jo vetëm ajo, por edhe kolegë të tjerë. Por pa folur për të tjerët, për veten, u shpreh se është e bindur se është shkarkuar nga politika.
"Unë i kam kërkuar disa herë shpjegime Avokatit të Popullit përse disa nga anëtarët e rivlerësimit, njëherë u skualifikuan. 19 nga anëtarët e votuar në parlament nuk i kanë përmbushur kriteret ligjore. Avokati i popullit ka pranuar që procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të rivlerësimit është me shumë të meta, kriteret nuk kanë qenë të qarta dhe avokatja e popullit si organi kompetent, që më e rëndësishme tha në përzgjedhje ishte vullneti politik. Unë mendoj që vettingu filloi si shpresëdhënës, e mbështeta, do të krijonte gjykata të paanshme, por kjo bie në interes me politikën. Politika nga dy krahët, pavarësisht se e votoi ligjin me 14 vota, anëtarët e rivlerësimit u zgjodhën menjëherë pas marrëveshjes së 2017. Dhe politikanët një ditë do të jenë popull dhe për këtë duhet të mendojnë,"-thoshte ajo.
Ndërsa vitet kaluan, çështjes së saj i erdhi radha që të gjykohej në Strasburg. Më 13 dhjetor 2022 Gjykata e Strasburgut gjeti shkelje të nenit 8 të Konventës dhe vuri në dukje se vendimi i shkarkimit i Antoneta Sevdarit ishte “disproporcional” dhe në shkelje procedurale dhe dënoi Shqipërinë që të dëmshpërblente ish-prokuroren me rreth 25 mijë euro dhe sugjeroi të rishikohej vendimi i shkarkimit. Pas kësaj procesi në mars 2024, KPA rinisi shqyrtimin me një trupë tjetër gjykuese, ndryshe nga ai që mori vendimin e shkarkimit më 28 shkurt 2019, por që sot e riktheu në detyrë. Duke shënuar kështu precedentin e parë në Shqipëri, që një vendim i Vettingut hidhet poshtë nga Strasburgu.
Por me shumë gjasa Sevdari nuk do të jetë e vetmja! Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut konstaton se ka pasur shkelje të procesit të rregullt në Vettingut edhe për ish-anëtarin e Gjykatës së Lartë, Admir Thanza, por vlerëson se vendimarrja e shkarkimit për shkak të problemeve me pasurinë nuk ka mangësi. Ndërsa në rastin e ish-prokurorit Besnik Cani, GJEDNJ gjeti shkelje të konventës për sa i përket të drejtës për t'u gjykuar nga një gjykatë e krijuar me ligj, për shkak të zgjedhjes së paligjshme të Luan Dacit si anëtar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Me Sevdarin, rruga është hapur edhe për të tjerë./ZËRI