
DURRËS- Një 17-vjeçare nga qyteti i Durrësit ka ndërruar jetë për shkak të meningitit bakterial. Ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur në Spitalin Universitar Nënë Tereza. Adoleshentja është paraqitur fillimisht në spitalin e Durrësit dhe më pas, sipas Top Channel është dërguar me urgjencë drejt QSUT-së për shkak të gjendjes së rënduar.
Paraditen e kësaj të diele, fatkeqësisht, ajo ka ndërruar jetë. Përveç ngjarjes së rëndë, tashmë në rrezik është edhe jeta e familjarëve të saj apo edhe të personelit mjekësor të cilët e kanë trajtuar 17-vjeçaren. Kjo pasi meningitis është lehtësisht i përhapshëm. Ndaj të gjithë ata që kanë pasur kontakt me adoleshenten, po trajtohen me profilaksi.