
ITALI- Një i ri shqiptar ka humbur jetën tragjikisht në vendin e punës në Itali. Ngjarja ka ndodhur në zonën e njohur si Maniago, ku 22-vjeçari Daniel Tafa, ishte duke punuar në një fabrikë stampimi të ingranazheve industriale. Gjatë punës, një copë e nxehtë metali shpërtheu dhe e goditi atë në shpinë, duke i shkaktuar vdekjen.
Mediat e huaja raportojnë se nuk është ende e qartë nëse aksidenti ishte për shkak të një mosfunksionimi të makinës apo një manovre të gabuar. Kolegët ngritën menjëherë alarmin në 112. Qendra e operacioneve Sores Fvg dërgoi një reanimator në vendngjarje, por nuk mund të bëhej asgjë.
Hetimet i janë besuar inspektorëve të Autoritetit Shëndetësor, të cilët do të duhet të verifikojnë respektimin e masave parandaluese të aksidenteve së bashku me ekspertët e zjarrfikësve, të cilët kanë ndërhyrë me ekip. Kompania ku ndodhi tragjedia është Stm, e specializuar në stampim, e cila punëson rreth njëqind njerëz. Ndërkohë, pronari i fabrikës është marrë në pyetje për të sqaruar ngjarjen.
Punëtori vetëm një ditë para se të ndërronte jetë, kishte festuar ditëlindjen e tij, ku kishte mbushur 22 vjeç./ZËRI