Aktualitet

“Edlira shikonte celularin, priste t’i shkruante”, Arbër Çepani shpërthen në lot: Nuk bëmë dot asgjë për Gertin

Në rrëfimin mes lotësh, Çepani shprehet se Gertin se quante dot kunat, pasi e kishte dhe shok e këshillues.

F.I
“Edlira shikonte celularin, priste t’i shkruante”, Arbër
Gerti Bogdani dhe Arbër Çepani

TIRANË- Arbër Çepani, kunati dhe një nga njerëzit më të afërt të Gerti Bogdanit, i cili u nda tragjikisht nga jeta një ditë më parë, ka folur për ndarjen nga jeta të ish-deputetit. Në studion e Top Story, Çepani, nuk i ka mbajtur dot lotët që në nisje të kësaj interviste, kur flet për 44-vjeçarin që jeta iu ndërpre në mes papritur pas një arresti kardiak. Ai ka rrëfyer se motra e tij, bashkëshortja e Gerti Bogdanit mbante celularin në dorë dhe priste një mesazh nga ai. Në rrëfimin mes lotësh, Çepani shprehet se Gertin se quante dot kunat, pasi e kishte dhe shok e këshillues.

“E kam të pamundur të flas për Gertin, por donte Edlira të isha këtu, dhe e di që do donte dhe ai që të isha këtu. Do doja të flisja për gjëra të tjera për Gertin, jo pasi bëmë funeralin. Por Edlira donte të isha këtu, që të flisnin njerëz që e donin dhe i donte. Gertin se quaj dot kunat, e kisha dhe shok e kisha këshillues, ishte për ne si një mal, çdo problem të kishim e kishim Gertin si një mal, ta shikonim Gerin në atë gjendje, që nuk bënim dot asgjë për të… boshllëku është i pakuptueshëm fare. Edlira mbante celularin në dorë, i thoja ma jep celularin ta mbaj unë, dhe më thoshte se ‘jo se mos më shkruan Gerti”. Shihte gjithmonë nga celulari se mos i shkruante.  E kam të pamundur të jem sonte këtu, por donte Edlira. Sapo ndodhi ma thanë direkt, kaluan disa minuta pasi e gjetën në atë gjendje në tualet dhe e dërguan në spital. Hajde se nuk është mirë Gerti më thanë, nuk është ndjerë mirë dhe është në gjendje të fikti. Nuk e besoja kurrë që mund të kishte diçka të keqe, ishte më i forti ndër ne. Dukej sikur do na përcillte Gerti një nga një, se mendonim se do bënte këtë parakalim. Kur shkova në urgjencë mendova se ka ndonjë gjendje të fikti. Pashë skenën pastaj dhe ishin mbi kokën e Gertit mbi 15 veta që kërkonin ta mbanin dëshpërimisht në jetë, fillova të kuptoja se ishte gjëja serioze”, tha ai, duke qarë. 

Arbër Çepani rrëfeu se shpesh herë i ka thënë Gerti Bogdanit të hiqte dorë nga politika, ndërsa shtoi se pavarësisht se kishte zhgënjime, ai sërish nuk hoqi dorë.

“Mirësia e tij e la në hije në politikë, edhe ai e vuante këtë fakt. I thoja “mos u merr me politikë, ç’të duhet të merresh me hienat?”. Sot ishin të gjithë atje, të majtë e të djathtë. Kortezhi nuk mbarohej me njerëz. Edhe unë i thoja ‘mos u merr në politikë’. Gerti nuk ia doli në jetë, por ia doli ditën e vdekjes. Vetëm mirësia e Gertit i bashkoi ata njerëz. Ishte Gerti për të cilin shkuan njerëzit, sepse e duan. Jepte më shumë seç jepte. I thoja “Hajde Gert me mua, bë biznes. Mos u merr me ata”. Pavarësisht se kishte zhgënjime nga të gjithë sërish nuk hoqi dorë nga politika”, tha Arbër Çepani me lot në sy.

Gerti Bogdani ndërroi jetë në moshën 44-vjeçare. Ai ishte politikan dhe ish-deputet i Partisë Demokratike për dy mandate. Bogdani ka qenë deputet në një moshë fare të re, për dy legjislatura, ndërsa në vitin 2023 ishte pjesë e garës së primareve për të kandiduar nga radhët e PD-së për Bashkinë e Tiranës./ZËRI

 

Poll

MOS HUMB