TIRANË- Banda e Laert Haxhiut kishte për qëllim vrasjen e "Kinezit". Ishte vetë Haxhiu ai që e donte Elton Mermalin alias Alban Semaku të vdekur. Kjo pasi, Mermali gjatë vitit 1998 ka marrë pjesë në vrasjen e Bledar Haxhiut dhe Ardian Sulçes, dy njerëzit e besuar të ish-kapobandës së Lushnjes, Artur Daja, rivali direkt i Bares.
Planin e kishte marrë përsipër ta realizonte vetë Marjus/Artan Tafani dhe Lulzim Spahiu. Ishte Tafani, ai që kishte rënë në kontakt me viktimën, duke i zbuluar pikën e tij të dobët, varësinë nga heroina. Ndaj edhe i kishte premtuar një "të mirë".
Natën që e rrëmbyen, foli në telefon me të dhe e hipën në makinë për ta dërguar pranë tregut të Peqinit. Pasi mbërritën në Peqin në afërsi të tregut kanë zbritur nga makina dhe kanë ecur në drejtim të vendit që do të kryenin vrasjen.
BISEDA E FUNDIT E VIKTIMËS:
Semaku: Ku po shkojmë? A
Tafani: Aty ku kemi fshehur heroinën. Luli kontrollo ku e ke fshehur heroinën”, rrëfeu i penduari i drejtësisë, Tafani.
Sipas dosjes së siguruar nga "Inside Story", Lulzim Spahiu po bënte sikur kërkonte nëpër ferra, ndërsa vetë Mermali ishte pas tij. Pas Eltonit ishte Artan Tafani, i cili i kishte drejtuar pistoletën në kokë dhe vetëm me një plumb e la të vdekur në tokë. Por e qëlloi edhe njëherë në kokë...për siguri. Nga nxitimi për t'u larguar nga vendi i ngjarjes, Spahiu, i cili ishte në vendin e pasagjerit, shkrep pa dashje armën dhe plagos veten.
“Kam çuar Lulin në shtëpinë time dhe po me automjetin tim kam shkuar në Kashar të Lushnjës, ku kam hedhur armën e krimit. Më pas shkova dhe bleva antibiotik dhe fasho në një farmaci që të mjekohej Luli,”- rrëfeu Artan Tafani.
Se sa është paguar për vrasjen, Tafani nuk e tregon.