Aktualitet

Ekstradimi i Ibrahim Licit nga Turqia, Prokuroria e Shkodrës i përcjell dosjen Ministrisë së Drejtësisë

A do të bëhet i mundur ekstradimi i Licit drejt Shqipërisë?

E.K
Ekstradimi i Ibrahim Licit nga Turqia, Prokuroria e Shkodrës i
Ibrahim Lici

TIRANË- Disa ditë pas arrestimit të Ibrahim Licit në Turqi, Prokuroria e Shkodrës i ka përcjellë Ministrisë së Drejtësisë, dosjen e tij, së bashku me kërkesën për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, ku do të përballet me akuzën e vrasjes. Lici ka qenë i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Shkodrës, si i dyshuari kryesor për vrasjen e Endri Mustafës, me të cilin dyshohet se ka pasur miqësi. Vetë bashkëshortja e Mustafës do të deklaronte disa kohë pas ngjarjes, se Lici nuk ishte në listën e të dyshuarve.

Pas marrjes së dokumenteve nga Prokuroria e Shkodrës, Ministria e Drejtësisë do ti drejtohet shtetit turk, me kërkesën zyrtare për ekstradimin. Gjykata e Shkodrës i ka caktuar Licit në vitin 2021 masën e arrestit me burg, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armeve shpërthyese dhe municionit”, pasi më datë 15.05.2021, dyshohet ka vrarë me armë zjarri pistoletë, Endri Mustafën.

Vëllai i Ibrahim Licit, do të reagonte pas lajmit për arrestimin e tij, duke thënë se 31-vjeçari ishte vetëdorëzuar, dhe ka kërkuar azil në Turqi, pasi ndjente se i rrezikohej jeta. 

Çfarë deklaroi familja e Licit pas arrestimit

"Vëllai im nuk është arrestuar siç deklaroi me bujë Policia e Shtetit në Shqipëri por është vetëdorëzuar tek autoritetet turke me qëllim për të kërkuar azil pasi nuk ka besim tek shteti dhe qeveria shqiptare. Shteti në Shqipëri është vërtetuar se bashkëpunon me bandat kriminale ndaj Ibrahimi ka vendosur që të vetëdorëzohet në Turqi.

Në Shqipëri vëllait tim i rrezikohet jeta dhe në këtë mënyrë ka vendosur që të vetëdorëzohet. Nuk është e vërtetë se është arrestuar por si gjithmonë policia kërkon që t’i bëjë të bujshme edhe pse nuk ka asgjë të vërtetë.

Vëllai im është i pafajshëm pasi nuk ka kryer asnjë vrasje dhe kjo është e vërtetuar por drejtësia shqiptare nuk do që t’i marrë parasysh. Ibrahimi do të ndjekë procedurat e azilkërkuesit në Turqi dhe nuk mund të ekstradohet pasi në Shqipëri jeta e tij është në rrezik nga bashkëpunimi i shtetit me bandat kriminale”.

Për Licin ka pasur aksione dhe më herët për kapjen e tij në Turqi, pasi i ishte zbuluar baza ku ai vepronte. Në vitin 2022 dy agjentë të njësisë FAST, ndoqën një vajzë e cila dyshohej se ishte e dashur e Licit. Agjentët e FAST në datën 19 tetor 2022 së bashku me policinë turke, bënë një kontroll në banesën ku ajo qëndronte në Turqi, por, Lici nuk është gjetur aty.

Asokohe në media u aludua se ishte bërë e mundur arrestimi i Licit, por vetë ky i fundit do t’i përgënjeshtronte lajmet duke postuar një foto ku shfaqej në krah të të vëllait Muhamet Lici me sfond urën e famshme të “Bosforit”. Lici njihej si kundërshtar i fisit Bajri në Shkodër, ndërsa këta të fundit në dosjen 'Metamorfoza' thurnin plane për vrasjen e tij. /ZËRI 

Poll

MOS HUMB