Aktualitet

Ekzekutimi 33-vjeçarit/ Autorët po e vëzhgonin, i bënë pritë në hyrje të fshatit, si ndodhi vrasja në Shkodër (DINAMIKA)

Ai u qëllua me breshëri kallashnikovi mbrëmjen e 4 janarit

I.F
Ekzekutimi 33-vjeçarit/ Autorët po e vëzhgonin, i
Ramazan Mataj

SHKODËR- Një 33-vjeçar u gjet i vrarë në fshatin Dragoç të Shkodrës. Ishin banorët ata që e gjetën të riun të pajetë në makinë dhe lajmëruan Policinë. Viktima u identifikua si 33-vjeçari Ramazan Mataj. Ai u qëllua me breshëri kallashnikovi mbrëmjen e 4 janarit, ndërsa dyshohet se autorët po e vëzhgonin dhe pritën deri sa ai të dilte në rrugën kryesore të fshatit dhe ta ekzekutonin.

Babai i viktimës, Fatmir Mataj deklaroi se djali nuk ka pasur probleme me askënd dhe nuk ka asnjë dijeni që ai të ketë pasur konflikte.

“Nuk e di arsyen e vrasjes. Djali im nuk ka patur asnjë problem me persona të tjerë dhe asnjë konflikt. Ne nuk jemi në dijeni të asnjë konflikti. Djali im është rritur pa bukë dhe me shume vështirësi. Nuk ka qenë aspak person problematik. Në orën 22:00 kam folur për herë të fundit me djalin dhe nuk më shprehu asnjë shqetësim. Jemi të tronditur dhe kërkojmë të zbardhet ngjarja”, ka thënë ai.

Po ashtu, edhe xhaxhai i tij, Naim Mataj, tha se viktima punonte në Malin e Zi çdo ditë në ndërtim, ndërsa ka jetuar rreth 1 viti e gjysmë në Belgjikë. Gjithashtu edhe vëllai i tij jeton në Belgjikë.

“Punonte në Malin e Zi në ndërtim. Para një viti e gjysmë ka qenë në Belgjikë ndërsa kohët e fundit ka punuar në Malin e Zi. Vëllai i tij ndodhet në Belgjikë. Nuk kanë probleme apo ndonjë konflikt. Janë rritur me vështirësi sepse nuk e kanë patur gjendjen ekonomike të mirë”, tha xhaxhai i viktimës.

Një nga fqinjët tha se i dëgjoi të shtënat, por duke qenë se ndodhën pranë një lokali ku organizohen dasma, mendoi se ishin dasmorët. Zona ku ndodhi vrasja është në një rrugë dytësore dhe nuk ka kamera sigurie. Deri më tani, nuk janë verifikuar ende autorët, ndërsa Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. /ZËRI

Poll

MOS HUMB